Futboll

Uzuni në historinë e Ferencvaroshit, beratasi kalon në grupet e Championsit

Pas 25 vitesh, Ferencvaroshi kthehet në grupet e Ligës së Kampionëve dhe një dorë të fortë për këtë arritje e ka dhënë sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzuni. Vendimtare ishte ndeshja e parë ndaj Moldes në Norvegji, e mbyllur 3-3, ku beratasi shënoi njerin nga golat. Ndeshja e kthimit në Hungari u mbyll po në barazim, por 0-0 dhe falë golave të shënuar në fushë kundërshtare, Ferencvaroshi do të marrë pjesë në grupet e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.

Uzuni, i bashkuar këtë vetë me ekipin e madh hungarez, ka rrëmbyer menjëherë skenën me golat e tij të rëndësishëm. Ai shënoi ndaj Dinamos së Zagrebit golin e fitores dhe të kualifikimit, si dhe në ndeshjen e parë me Molden shënoi golin e dytë. Ferencvaroshi, i drejtuar nga Sergej Rebrov, më parë kishte eliminuar Selltikun dhe kalimin në grupet e Championsit e ka merituar plotësisht. Të premten hidhet shorti dhe tashmë tifozët shqiptarë kanë edhe një skuadër më shumë për të admiruar, Ferencvaroshin e Myrto Uzunit.

Uzuni me fanellën e Ferencvaroshit. Gazeta Si, 29 shtator 2020

Janë kualifikuar po ashtu edhe Dinamo Kiev, që mundi thellë Gentin, 3-0. Një sukses i arritur në ditëlindjen e Andrij Shevçenkos, ish-sulmuesit të famshëm të kësaj skuadre dhe Milanit. Dinamo Kiev, e drejtuar nga Mirçea Luçesku, kthehet në fazën e grupeve në Champions pas 12 vjetësh. Është kualifikuar edhe Olimpiakosi, që barazoi 0-0, por ndeshjen e parë në Pire e kishte fituar 2-0.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë