Futboll

Uzuni në fushë me injeksion, trajneri i Granadës tregon çfarë ndodhi me sulmuesin

Gazeta Si – Myrto Uzuni është nga ata lojtarët që nuk dëmtohen lehtë nga dyluftimet në fushë. Ai është një lojtar i fortë fizikisht, por mbrëmjen e së enjtes u detyrua ta linte fushën në ndeshjen me Betisin pa mbaruar ende pjesa e parë.

Trajneri i Granadës, Pako Lopez, ka zbuluar pas ndeshjes se futbollisti kuqezi kishte luajtur me injeksion. Uzuni kishte bërë gjilpërë për të qenë në fushë, duke sakrifikuar për skuadrën, por nuk ia vlejti, sepse dhimbjet nuk e lejuan të vazhdonte.

“Uzuni kishte shqetësime javën e kaluar. Para ndeshjes me Betisin bëri gjilpëra për të qenë në dispozicion. Ka sakrifikuar mjaft për ekipin, tani presim të shihim çfarë do të përcaktojë diagnoza. Jam i shqetësuar, por shpresoj të mos jetë dëmtim i rëndë”, - ka thënë trajneri i Granadës.

Dëmtimi i sulmuesit beratas pa dyshim ka alarmuar edhe trajnerin e Kombëtares, Silvinjo. Ai pret të mësojë shkallën e dëmtimit të Uzunit me shpresën për një rikuperim të shpejtë, sepse po afron ndeshja e rëndësishme me Çekinë. Cikalleshi gjithashtu ka probleme, ndërsa Broja ka filluar të marrë minuta me Çelsin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë