Futboll

Uzuni lë pas dëmtimin: Hyn nga stoli, shënon për Granadën. Mesazh para Çekisë!

Gazeta Si – Buzëqesh Uzuni, buzëqesh edhe trajneri Silvinjo, i cili ndodhet në Spanjë këtë fundjavë për të ndjekur nga afër lojtarët e Kombëtares. Dhe sot trajneri brazilian ka marrë një mesazh të qartë nga sulmuesi beratas.

Uzuni ka lënë pas dëmtimin që kishte pësuar javën e kaluar, duke ngritur alarmin në kampin kuqezi. Ai u fut në fushë si zëvendësues në pjesën e dytë dhe shënoi një gol të rëndësishëm për skuadrën e tij, Granadën, duke i dhënë asaj një pikë. Ishte goli i 3-të në kampionat për beratasin.

Futbollisti shqiptar barazoi shifrat në 3-3 pak pasi hyri në fushë. Uzuni shfrytëzoi në mënyrën më të mirë një sulm të shpejtë të Granadës dhe me një gjuajtje të saktë nga jashtë zonës e dërgoi topin në rrjetën kundërshtare.

Ndeshja e sotme me Almerian nisi keq për Granadën, pasi në fund të pjesës së parë humbiste 3-0. Uzuni u fut në fushë kur rezultati ishte 3-2 dhe 4 minuta para fundit gjeti golin e barazimit. Më shumë se goli, trajnerin Silvinjo e kënaq fakti se sulmuesi ka lënë pas dëmtimin dhe është gati para ndeshjes kyçe me Çekinë, që luhet më 12 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë