Futboll

Uzuni del pozitiv, protokolli në Hungari i mohon Barcelonën dhe Juven

Myrto Uzuni humbet shansin e madh për të luajtur në “Camp Nou”. Ferencvaroshi, skuadra e sulmuesit të Kombëtares, luan nesër ndeshjen e parë në grupet e Championsit ndaj gjigantëve katalanas, por Uzuni nuk do të jetë, sepse ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Spanjës.

Uzuni pësoi një dëmtim në grumbullimin me Kombëtaren dhe u kthye në Hungari, duke mos qenë pjesë e listës së Rejës as në Kazistan dhe as në Lituani. Por ditët e fundit ka munguar te Ferencvaroshi dhe është mësuar se është infektuar nga Koronavirusi. Më e keqja është se Uzuni nuk ka humbur vetëm Barcelonën. Ai do të mungojë një muaj dhe nuk do të luajë në disa ndeshje kampionati, si dhe në Champions ndaj Dinamos së Kievit dhe ndaj Juventusit.

Edhe pse futbollisti beratas është në gjendje të mirë shëndetësore, ai duhet të respektojë rregullat e shtetit hungarez, që parashikojnë një karantinë njëmujore për arsye sigurie. Kështu, Uzuni nuk mund t’i bashkohet skuadrës edhe nëse del negativ në tamponin e dytë.

Vërtet për të ardhur keq, pasi Uzuni humbet kështu tri ndeshjet e para në grup, ose më saktë gjysmën e ndeshjeve. Ai mund të ngushëllohet me faktin se mund të luajë në Torino, në ndeshjen e kthimit me Juventusin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë