Politike

Ushtria nis shpërndarjen e fletëve të votimit, PS plotëson numëruesit

Në një heshtje totale dhe si në një operacion sekret, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e fletëve dhe kutive të votimit për 30 qershor drejt KZAZ-ve. Deri më tani fletët e votimit janë shpërndarë në qytetin e Vlorës, Fierit, Krujës dhe Elbasanit. Ndërkohë që pritet të shpërndahen në të gjitha qendrat e KZAZ-ve në qarqet e vendit. Procesi i transportimit të bazës materiale zgjedhore logjistike për t’u shpërndarë nga KQZ në çdo KZAZ do të kryhet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.

Në Shqipëri janë prodhuar 3.606.815 fletë votimi. Fletët për kryebashkiakë dhe këshilltarë u prodhuan nga kompania “Cetis” në Slloveni me një kosto prej 60 milionë lekë. Shpërndarja vjen në një moment mjaft të tensionuar, ku opozita vijon të paralajmërojë se do të pengojë me çdo kusht zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas burimeve të Gazeta “Si” materialet zgjedhore janë shpërndarë kryesisht te ato njësi bashkiake që janë nën administrimin e të zgjedhurve socialistë. Te ato njësi vendore të të djathtëve nuk ka nisur ende shpërndarja e fletëve të votimit.

Çdo ditë po ndryshon vendndodhja e Qendrave të Votimit dhe KZAZ-ve
Në këtë situatë kaotike dhe të tensionuar politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po detyrohet që çdo ditë që të ndryshojë vendndodhjen e Qendrave të Votimit, të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Në çdo mbledhje propozohen ndryshim apo zhvendosje të QV-ve nga ana e prefektëve, të cilët i propozojnë këto lëvizje në zonat ku bashkitë drejtohen nga opozitarët. Në mbledhjen e sotme sërish prefekti i Vlorës paraqiti kërkesë për zhvendosjen e disa QV-ve dhe të KZAZ-ve për dy bashkitë e Selenicës dhe Delvinës. Gjithashtu një tjetër kërkesë e shqyrtuar nga ana e KQZ-së ishte dhe ajo e prefektit të Korçës, i cili paraqiste ndryshimin e vendndodhjes së KZAZ 67 të Pogradecit nga qyteti në periferi në një ambient sportiv privat në Hudenisht. Ndërsa edhe më parë KQZ-ja vendosi që KZAZ e Kukësit të vendoset një ambient privat, në ish-Hotel Drini, pasi kryebashkiaku i këtij qyteti kërkonte lirimin e ambienteve.

Nga mbledhja e KQZ-së


Këto propozime sollën reagimin e ashpër të kryekomisionerit Klement Zguri, i cili ka shprehur rezerva për mënyrën se si po sillen prefektët me këtë institucion. “Para tre ditësh e kemi marrë një vendim, tani na vjen prapë për ndryshim, po na marrin prefektët zvarrë. Propozon një shkresë, i prishet mendja, propozon një vendim tjetër, e kthen dhe e çon atë tek e para. Vetëm gjë pozitive dhe ligjore nuk duket, më duket se prefektët po e marrin zvarrë dhe i paraqesin propozimet kundër ligjit”, deklaroi Zguri. Ky qëndrim u mbështet nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, i cili kërkoi administratës së KQZ-së që të kenë kujdes, pasi do të jenë ato që do të mbajnë përgjegjësi.
Por sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së përballë këtyre qëndrimeve qartazi u shpreh se këto vendime për ndryshime merren për shkak të situatës dhe letrave që kanë dërguar kryebashkiakët e opozitës për lirimin e ambienteve që janë në pronësi të tyre.

Numëruesit e votave, PS plotëson opozitën
KQZ shqyrtoi sot edhe projektvendimin për caktimin e numëruesve të Grupeve të Numërimit të Votave. Në mungesë të opozitës, që sipas ligjit i takon të caktojnë dy anëtarë të grupit të numërimit, KQZ-ja ka ofruar një formulë të re duke mos u bazuar në Kodin Zgjedhor. Administrata e KQZ-së për të zgjidhur ngërçin ka propozuar që dy anëtarët vakant të pltoësohen me dy prej emrave që propozojnë KZAZ-të që drejtohet nga socalistët, duke i marrë dy anëtarë nga KQV-të apo KZAZ-të. Mbi bazën e kësaj logjik i bie që votat të numërohet nga anëtarët e PS-së.
Kjo formulë e propozuar u cilësua nga Zguri si diçka që mund ta kishte zili edhe vetë Parlamenti, i cili për ndryshimin e Kodit Zgjedhor kërkon 84 vota për t’u miratuar. “Na ka zili edhe Parlamenti me këto propozime, në kundërshtim me Kodin për mënyrën e udhëzimit të numërimit dhe anëtarëve të grupeve të anëtarëve. Nëse nuk funksionon teknologjia, e më duket non sens se përmes një vendimi të thjeshtë, kurrkund nuk thuhet se në VNV shtohet dy kryesisht, e nuk e thotë në rastin e Grupeve të Numërimit të Votave. Udhëzimi i KQZ e thotë qartë se nëse nuk ka teknologji, KQZ në këto raste mund të bëjë veprim sapo thoni”, deklaroi kryekomisioneri.
Kështu sipas këtij udhëzimi që u votua kundër nga Zguri, përcakton se grupet e numërimit të votave me 4 anëtarë do të përbëhet nga dy anëtarë të PS-së dhe dy të tjerë që zgjidhen të përzgjedhur kryesisht nga KZAZ nga anëtarët e KQV-të apo dhe KZAZ-të.

 

Më Shumë