Analize

Ushtria, Kosova turpëron Serbinë në OKB!

“I vetmi gabim që Kosova bëri në krijimin e ushtrisë së saj ishte fakti që priti pesë vjet". Më këtë deklaratë, Presidenti Hashim Thaçi nisi fjalim e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hënën. Kjo nuk ishte hera e parë që në Pallatin e Qelqtë diskutohej për Kosovën, por ishte hera e parë ndër dekada që delegacioni shqiptar qëndronte kryelartë dhe i vendosur përballë Serbisë dhe Rusisë.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, të thirrur nga Moska, si një nga pesë anëtarët e përhershme, fuqitë botërore diskutuan mes debateve vendimin e Kosovës për të formuar ushtrinë e saj. Serbia dhe Rusia sulmuan ashpër Prishtinën duke kundërshtuar fuqishëm këtë lëvizje dhe duke bërë thirrje që Kosova të “mbahej nën kontroll”.

Presidenti Thaçi iu kundërpërgjigj këtyre deklaratave, duke u shprehur se kërcënimi i vetëm për paqen ishin "thirrjet për luftë dhe konflikt" që vijnë nga Beogradi.

"Ne kemi qenë gjithmonë viktima, ne jemi ata që kemi luftuar gjithmonë për mbijetesë," tha Thaçi. Si rrallëherë, ai hoqi dorë nga gjuha diplomatike duke numëruar para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të gjitha masakrat e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai ka deklaruar se pavarësisht se Kosova është viktima, atje ka më shumë të dënuar për krime lufte se sa në Serbi.


Presidenti Hashim Thaçi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

“Jam i detyruar të numëroj disa fakte para jush, ju pëlqen apo jo, shteti i Serbisë në konfliktin e Kosovës ka vrarë 13.500 civile shqiptare. Formacionet e tyre ushtarake kanë dhunuar rreth 20 mijë femra shqiptare, për 13,500 civile asnjë i akuzuar, e lëre më i dënuar, për 20 mijë femra asnjë i akuzuar, e lëre me i dënuar. 40% e infrastrukturës së Kosovës e rrënuar, i akuzuar Millosheviçi, por i padënuar. 400 masakra, por asnjë i dënuar”, deklaroi ai. “Në Krushë 250 civile të vrarë, gra, pleq fëmije, 64 të pagjetur. Theksoj se luftëtarët e Kosovës kanë kaluar në procedurat e drejtësisë së OKB-së, UNMIK dhe paralelisht ne tribunalin e Hagës. Pavarësisht se jemi viktima, sot në Kosovë ka më tepër të dënuar për krime sesa në Serbi. Në Beograd nuk është dënuar asnjë serb për spastrimin etnik. Atje nuk funksionon fare zyra për krimet e luftës. Unë besoj në luftën e drejtë që kemi zhvilluar, por nuk mendoj se ndonjë luftëtar ka devijuar nga fisnikëria”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti tha se po ashtu se ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese për qëndrueshmërinë dhe paqen në rajon dhe se ky vendim është i pakthyeshëm.

"Asgjë e jashtëzakonshme s’ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar. Në fakt ajo që ndodhi ishte vendim krejt normale dhe i drejtë. Nëse Kosova ka bërë gabim, ai është që ka pritur pesë vite për themelimin e ushtrisë. Vendimi për ushtrinë është i vonuar, por kurrsesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur vullnet të mirë nga ata që deri më tani nuk e treguan. Por tani Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur ka marrë një vendim të prerë për ushtrinë. Çfarë ka të jashtëzakonshme këtu? Asgjë fare", tha ai.

Thaçi theksoi se ushtria do të mbrojë çdo qytetar në gjithë territorin e Kosovës, pavarësisht gjuhës që flasin në shtëpi. Para se të nisej për në takimin në Nju Jork, Presidenti Hashim Thaçi tha se Prishtina nuk do të tërhiqej nga vendimi i saj.

"Çfarëdolloj gjëje që të ndodhë në Këshillin e Sigurimit, pavarësisht shqetësimeve të një individi apo një vendi, formimi i ushtrisë së Kosovës është një veprim i pakthyeshëm", tha ai në Prishtinë.

Por duke ju drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se ishte "shumë i shqetësuar dhe i frikësuar" nga zhvillimet në rajon.

Duke përdorur një gjuhë të ashpër, ai u bëri thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të “mbajnë nën kontroll” udhëheqësit e Kosovës. “Dikush duhet t’i frenojë, dikush duhet t'i zbusë ata njerëz, sepse masat që kanë marrë kohët e fundit janë diçka që nuk janë më koherente në shekullin e 21-të".

Ndryshe nga deklarata e bëra kohët e fundit në Beograd, i ulur në karrigen e Këshillit të Sigurimit, Vuçiç u tregua më i vetëpërmbajtur, duke deklaruar se nuk kishte shumë mundësi që Serbia të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë, pas krijimit të ushtrisë.

"Ne do të vetëpërmbahemi nga hapat e gabuar edhe në të ardhmen, sepse kemi vuajtur shumë në të kaluarën. Ne nuk kemi më fëmijë për t’i sakrifikuar në lloje të ndryshme luftërash, armiqësish dhe përplasjesh", tha ai.

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB Vasily Nebenzya deklaroi po ashtu se krijimi i ushtrisë së Kosovës ishte një "shkelje e rëndë" e rezolutës së OKB-së 1244 e cila u miratua pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

"Rezoluta përmban një kërkesë absolutisht të qartë për çmilitarizimin e çdo grupi të armatosur të shqiptarëve të Kosovës dhe autorizon praninë e një kontingjenti shumëkombësh në territorin e Kosovës," tha ai. Ambasadori rus dënoi po ashtu përpjekjet BE-së për ndërmjetësim, duke thënë se nuk kishin prodhuar "praktikisht asnjë rezultat".

Vendimi i parlamentit të Kosovës për të formuar një ushtri kombëtare u cilësua nga shefi i paqeruajtësve të OKB-së si një hap që do të "përkeqësonte më tej marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës".

Jean Pierre Lacroix, kreu i Departamentit të Operacioneve Paqeruajtëse (DPKO), e informoi Këshillin e Sigurimit mbi zhvillimet e fundit që kanë rritur tensionet midis Serbisë dhe Kosovës. Lacroix e filloi fjalen e tij, duke treguar se më 21 nëntor, Kosova njoftoi tarifat e reja për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja, duke i rritur ato nga dhjetë në 100 përqind.

Sipas tij, ishte thelbësore që Prishtina dhe Beogradi të shmangnin çdo hap që mund të përkeqësonte më tej situatën dhe u kërkoi dy presidentëve "të gjejnë mënyra për t'u angazhuar përsëri në dialogun që synon normalizimin e marrëdhënieve reciproke".

Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK) është duke punuar ngushtë me KFOR-in dhe duke u fokusuar në ndërtimin e besimit mes serbëve dhe shqiptarëve, i cili është thelbësor për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinë”, deklaroi ai.

Të premten, shefi i OKB-së António Guterres deklaroi se ishte i shqetësuar për miratimin e projektligjeve për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke deklaruar se vetëm KFOR-i ka përgjegjësinë për të siguruar një mjedis të sigurt .

Por pavarësisht deklaratave të Serbisë dhe Rusisë, tetë vende të Bashkimit Europian, anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, deklaruan se themelimin e ushtrisë ishte një e drejtë e Prishtinës.

Nisma e mbështetur fillimisht nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, duket se mori mbështetjen e të gjitha fuqive europiane , pavarësisht kundërshtimit të NATO-s.

Në një deklaratë të nënshkruar nga Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar theksojnë se: “Ne vendet e Bashkimit Europian, pjesë e Këshillit, duam të nënvizojmë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme, është thelbësore që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugën e tyre evropiane. Nisja e procesit të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është e drejtë sovrane e Kosovës. Ne e kemi parasysh përkushtimin e Kosovës për transformimin gradual të forcës së sigurisë, në bashkërendim të plotë me NATO-n dhe partnerët e saj."

Ato i kanë bërë gjithashtu thirrje Kosovës që ta kryejë tranzicionin e FSK-në në 10 vitet e ardhshme në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse dhe që kjo të mos ndikojë në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. 

“Ne gjithashtu bëjmë thirrje që të ruhet marrëveshja me KFOR-in sa i përket veprimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit", theksonin ato.

Në deklaratë thuhet se, pothuajse dy dekada pas miratimit të rezolutës 1244 dhe dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi dhe Prishtina ende kanë shumë çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e ardhshme që duhet të zgjidhen në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim.

"Në u bëjë thirrje të dyja palëve të ndërmarrin hapa që të dëshmojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe të krijojnë kushtet për rifillimin e bisedimeve të lehtësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Një marrëveshje detyruese që trajton të gjitha çështjet mbetet përparësia kryesore", thuhet në tekstin e deklaratës që u publikua pak para fillimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë