Lajme

“Ushtarët” dhe “rebelët” e Astirit në pritje të një kocke…

Sabina Veizaj- Duke mbyllur qepenin e dyqanit, në largim e sipër Astriti thotë se kjo që po ndodh ka qenë një kronikë e parlajmëruar.

Ai bën lëvizje të shpeshta, sikur po merr gjithë kohën e botës mes dilemës të flasë a të mos flasë dhe belbëzon me zë të lartë.

Gjysmafjali dhe fjalë, të cilat disa i ha, të tjerat i hedh për nga unë. Mua më mbetet ti bëj bashkë për t’iu marrë kuptimin dhe ti ndaj nga zhurma e rëndë e qepenit që shkon për poshtë me furi të ngadaltë.

“20 e kusur vite që unë kam këtu, ështëthënë që do të kaloj gjurma e rrugës dhe si shteti dhe ne, secili ka vazhduar programin e vetë. Tani që nuk na sheh bashkë, po përpiqemi secili të shpëtojmë veten tonë”- më thotë dhe më në fund qepeni bën kërcitjen e fundit mbi tokë. Ai vendos çelësin në fole dhe largohet.

Më datën 5 nëntor Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro sqaroi se “Ideja paraprake për Unazën e Madhe daton që përpara viteve ’90. Gjatësia e Unazës shkon në 27 kilometra në total për gjithë projektin.”

Por në fakt, të gjitha qeveritë që kanë qëndruar mbi kokat e këtyre banorëve në këto gati 30 vite, i kanë mbajtur me shpresë se ndërtesat që kanë ngritur, shtëpi dhe biznese një ditë do të ishin të tyret.

Valbona Këllezi, i shoqi i të cilës ka ardhur 20 vite më parë nga Maliqi i Korçës së bashku me dy vëllezërit kanë ndërtuar shtëpi dhe biznes, gati 300 metra katrorë në total.

Valbona Këllezi

Valbona thotë se janë në proces legalizimi që prej kohës së Berishës.

Familja e Valbonës përbëhet nga i shoqi, i cili nuk punon se për shkak të një sëmundjeje në stomak është prej 12 vitesh me kemp dhe dy fëmijët; djali 17 vjec dhe vajza 15.

Valbona është edhe ajo e sëmurë dhe epapunë. Jetësën ajo e siguron duke shitur në mënyrë ambulante me një tavolinë përpara shtëpisë dhe ka një pjesë të dyqanit të përbashkët me kunetërit, nga i cili merr qira 15.000 lekë në muaj.

Tek e pyes se si do të vazhdoni paskëtaj, asaj i mbushen sytë me lotë.

“Po mbajmë veten me garjet që të mos na ikë truri. Sepse nuk dimë asgjë. Dëgjuam fillimisht që do të na paguanin 1 vit qira e më pas 3 vjetë, por janë vetëm fjalë”.

Biznesi i përbashkët i familjes Këllezi

Në fakt, ata as që ishin në dijeni se çfarëdo të ndodhte. Fjalët që qarkullonin, asgjë zyrtarisht, thonin se rruga do tëhapej vetëm nga njëri krahë, ai i fabrikës, por kunati i Valbonës ishte interesuar një prej ditëve dhe kishte mësuar se gjurmët e rrugës binin edhe në pronën e tyre në proces legalizimi.

Valbona thotë se zyrtarisht nuk u ështëdrejtuar askush për ti sqaruar, por “një ditë erdhën disa djem që u prezantuan si punonjës të ALUIZN-it dhe kërkuan sqarime për sipërfaqen e shtëpisë, hynë brenda. Me demek për legalizimin. Unë e kuptova që ishin nga bashkia, dhe më pas ata më thanë që të mos shqetësohesha sepse rrugës do ti duhej dy vite që të ndërtohej”.

Muhaxhire në vendin e saj, edhe pse e penduar tanimë për ardhjen në kryeqytet, Valbona nuk mund të kthehet më mbrapa sepse edhe në Maliq nuk ka më shtëpi.

Në Unazën e Re ka një qetësi mortore në raport me disa ditë më parë. Ata që besojnë se po u bëhet padrejtësi, janë zhvendosur përpara bashkisë për të protestuar dhe për tu përballur me kryetarin stoik, i cili u thotë se Rruga do të ndërtohet, por banorëve, askush nuk u është drejtuar zyrtarisht, qoftë me një letër bakalli për ti vënë në dijeni në lidhje me afate, procedura, etj. Askush nuk i ka sqaruar pse një pjesë e ndërtesave janë legalizuar dhe një pjesë tjetër janë në proces, ndërsa idea për ndërtimin e Unazës së Madhe ka qenë që përpara 1990-ës. Askush nuk i ka sqaruar për termat e dëmshpërblimeve.

Dhe bizneset përgjatë unazës, të cilët do të prishen, vazhdojnë punën, sikur asgjë nuk e ka tronditur përditshmërinë e tyre, përveçse disa vijave të kuqe që ARSH ka vendosur për t’ju kujtuar “me dhunë” se shumë shpejt asgjë nuk do të jetë si më parë.

Viktor Dropaj ka 20 vite që ka blerë tokën tek Zona e Astirit, ku ka ndërtuar edhe dyqan që aktualisht e ka dhënë me qira.

Ai thotë se në këto 20 vite ka paguar mbi 4 mln lekë (të reja) taksa dhe 1 mln e 500 mijë ( të reja) fatura legalizimi për pronën (zyrtarisht, jo bakshishe).

“Në 2005 nisëm procesin e legalizimit. Kemi vazhduar procedurat. Më 2013 kemi marrë hipotekën e cila në total na ka kushtuar me fatura 15 mln lekë. Dhe tani nuk kemi  asnjë lloj njoftimi për çfarë po ndodh. Asnjëlloj vlerësimi. Thjesht kanë ardhur dhe kanë vendosur vijën e kuqe. Kur të më kërkojnë dokumentacionin, do tua jap. Fjalë ka patur që do prishet që kur kemi ardhur ne 20 vite më parë, por nuk i kemi besuar. Madje kemi patur gjyqe edhe me pallatin ngjitur. Donin tokën dhe nuk ia dhamë se nuk patëm besim.”- thotë Viktori.

Shtëpia e Viktorit, ndërtesa dy katëshe në krahë të pallatit

Tek e pyes se si do të vijojnë pas prishjes së pronës, ai shpreson që shteti ta dëmshpërblejë aq sa të blejë një kjoskë.

Të radhitur mes “ushtarëve” apo rebelëve, në këtë rast si edhe në rastet precedente, si ai i Stacionit të Trenit “e mira publike” do të triumfojë.

Banorëve që të paktën i kanë pronat të ligjëruarau mbetet të shpresojnë që shteti t’u japë nga një kjoskë, por që për ta është një kockë....


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë