Treg

Urdhri i qeverisë: Cilat fusha studimi përfitojnë mbështetje financiare dhe garanci pune

Nga Gazeta 'SI' - Formimi profesional dhe specifikisht programimi do të jenë dy fushat që do të financohen nga qeveria shqiptare.

Në urdhrin e firmosur nga ministri i Financave Ervin Mete, këto programe do të mbulohen nga fondet e nismës së nxitjes së punësimit, strategjia e nisur 2 vite më pare nga qeveria.

Në thelb të kësaj nisme ishte që të rinjtë në këto fusha do të formoheshin dhe integroheshin më shpejt në tregun e punës, 3-12 muaj , për shkak të prioritetit të profesionit, por edhe mungesës.

Për të fituar nga kjo mbështetje parashikohen konkurrime. “Procedurat e konkurrimit të parashikuara në këtë vendim për ofrimin e mbështetjes financiare për kurset e formimit profesional, të organizuara nga institucionet e formimit profesional, publike apo private, zbatohen nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (në vijim AKPA)” thuhet në vendim.

Çdo institucion, që ka në thelb arsimimin profesional duke ofruar kurse të formimit profesional, konkurron me anë të një kërkese për të përfituar mbështetje financiare. Për të kaluar këtë fazë duhet të plotësojë një sërë kushtesh duke nisur nga përvoja tek numri minimal i kursantëve.

“Në fushën 'Programim' përfshihen: kodimi, programimi kompjuterik, zhvillimi i aplikacioneve, robotika, elektronika, shkenca e të dhënave, siguria kibernetike, inteligjenca artificiale, testimi i software-ve, dizajni i software-ve, dizajni i faqeve web, dizajni i përvojës  së  përdoruesit,  dizajni  i  ndërfaqes  së përdoruesit, mësimi makinerik/automatik, realiteti i shtuar, realiteti virtual ose algoritmet kompjuterike apo fusha të ngjashme të tjera".

Sipas ndarjes së re, formimi profesional është nën përgjegjësinë e Ekonomisë dhe jo asaj të Financës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë