Politike

‘Urdhëroi ambasadorin të paguante faturën e italianëve që ikën pa paguar në Berat’, Rama rrëfen vizitën e Melonit në Vlorë

Kryeministri Edi Rama ka folur për vizitën e homologes së tij italiane Giorgia Meloni në Vlorë, e cila qëndroi aty për disa ditë pushime

Rama ka deklaruar se Meloni do të rikthehet në tetor sërish në Tiranë.

Roje sigurie, kamerierë, motobarkë, vizitë shumë private. Mund të na thoni diçka për pushimet e Melonit?

Giorgia donte të pushonte, e prita në port të hënën, as nuk dola nga makina dhe e çova në rezidencën qeveritare. E lashë atje. Më pas, hëngrëm një darkë me të dhe familjen time.

Ishit ju, gjithashtu dhe Tony Blair, e konfirmoni?

Jo. Ai nuk ishte aty! Unë kam lexuar shumë fantazime për këtë madje dhe më shumë – si ajo që (Meloni) nuk erdhi me traget, por me një jaht luksoz, ose se ajo erdhi për një termocentral bërthamor, më vjen keq, por Blair u largua mëngjesin e ardhjes e saj.

E keni shoqëruar nëpër plazhet shqiptare?

Ajo nuk ka lëvizur që nga e hëna. Vetëm një ditë, me motobarkë, për të shkuar në plazhin përballë. Dhe dje, kur e çova në qytet, në Lungomare... Ka një episod tjetër në të cilin mendova: “Ajo është një gjigante”.

Dhe cila është?

Në mediat shqiptare dhe në TikTok nuk flitej tjetër veçse për një grup italianësh që u arratisën nga një restorant në Berat pa paguar. Pronari e minimizoi. Kur i thashë Giorgias, të gjithë qeshën.

Ajo bëri një çehre të fytyrës dhe urdhëroi ambasadorin: “Shko dhe paguaj faturën për këta budallenj, të lutem, dhe bëj një deklaratë! Italia nuk mund të humbasë respektin në këtë mënyrë”.

Për çfarë çështjesh keni folur?

Ne folëm gjatë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe integrimin evropian, që ajo e përcakton si ribashkim

Në planin ekonomik, ju ka bindur të bëni investime?

Ka kaq shumë gjëra që po diskutojmë. Së shpejti do të mblidhet për herë të dytë Komiteti Strategjik për Investimet Italiane, i krijuar me Di Maio.

Biseduam për projektin e ujësjellësit, të cilin Andreotti dhe Berlusconi e dëshironin tashmë, nga Shqipëria në Puglia. Kjo do të ishte e rëndësishme. Bëhet fjalë për përdorimin e burimeve në Shqipërinë e Jugut për t’i lidhur ato me Italinë.

Pastaj, është menaxhimi i rrjetit hekurudhor në Ballkan, i cili duhet të zhvillohet.

Së fundi, teknologjia: kompanitë e mëdha italiane kanë shfaqur interes në të kaluarën. Dhe projekti i linjës elektrike që do të lidhë Italinë me Shqipërinë. Ajo është dikush që mund t’i lëvizë gjërat, kam shumë besim.

E gjithë kjo harmoni bie ndesh me idetë tuaja partiake: ju i përkisni familjes së të majtës. Meloni është e djathtë, nacionaliste. Si e gjeni gjuhën?

Dëgjo, djathtas dhe majtas janë kategori pretencioze, të mira për debate. Nuk jemi më në vitet 1900. Unë jam për rrugën e tretë të Clintonit, Blair, Schroderit.

Ajo është e krahut të djathtë, por ata thanë se ishte një përbindëshe fashiste që do të marshonte në Bruksel. Përkundrazi, që nga dita e parë nuk ka gabuar në linjën e politikës ndërkombëtare.

Kur do të takoheni përsëri?

Nëse më fton, vij që nesër. Ajo do të vijë në Tiranë në tetor në samitin e procesit të Berlinit. Unë do ta mirëpres me krahët hapur. la tampa.it


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë