Analize

Ura e Xhenovës shembi mitin e koncesionit

Nga Sabina Veizaj dhe Xhuliana Toci- Shembja e urës së Morandit, një vepër emblemë për Xhenovan, nuk ishte surprizë për askënd. Pas vdekjes së 39 personave në urën me pagesë, sytë e zemëruar dhe të përlotur të qytetarëve kanë “shigjetuar” tanimë kompanitë koncesionare, të cilat kontrollojnë pothuajse të gjitha autostradat italiane. Shumë vite para se një pjesë e strukturës të shembej, ura prej betoni dhe çeliku ndodhej në degradim të vazhdueshëm, ndërkohë që ekspertët jepnin çdo ditë alarmin për një fatkeqësi të mundshme. Por as shteti dhe as kompania që korrte taksat e qytetarëve, nuk ua vuri veshin. Pse u injoruan këto paralajmërime? A ka ardhur koha të mendojmë edhe për rrezikun që na vjen nga rrugët e vjetruara të vendit tonë dhe koncensionarët që ndodhen prej kohësh në gjumë letargjik?

Pas tragjedisë në Xhenova, Kryeministri italian, Xhuzepe Konte, deklaroi se qeveria e tij do të niste procedurat për heqjen e koncensionit ndaj firmës private që merret me mirëmbajtjen e autostradave italiane, “Autostrade per l’Italia”. I shoqëruar nga hija e rëndë e dy zëvëndëskryeministrave populistë, Matteo Salvinit dhe Luiggi Di Maios, Konte tha se shteti do të marrë në dorë mirëmbajtjen e autostradave, duke akuzuar koncensionarin privat si përgjegjës për tragjedinë. I ndodhur përballë syve me lot të familjarëve që kishin humbur të afërmit gjatë fatkeqësisë, Konte shpalli gjendjen e emergjencës 12 mujore, gjatë të cilës do të kontrollohen kushtet teknike të të gjithë sistemit rrugor italian. Tanimë ura që u mori jetën dhjetëra qytetarëve të pafajshëm, do të prishet, ndërkohë që qeveria shpalosi edhe planin për riparimin nga shteti të të gjitha veprave rrugore të ndërtuara në periudhën mes viteve ’60 – ’70 kur daton edhe ura “Morandi”.

Koncesionet private nuk funksionojnë?

Ashtu si shumë vende të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, Italia ia ka ngarkuar mirëmbajtjen  e rrjetit të saj infrastrukturor një kompanie private. Por shembja e urës Morandi, pikërisht në segmentin ku po punohej, ka ngritur një pikëpyetje të madhe që shkon përtej Xhenovas: A duhet t’u besohen rrugët koncesionarëve?

Shembja e urës Morandi, në Xhenova

Zëvëndëskryeministri Luixhi Di Maio kishte akuzuar vazhdimisht kompaninë e mirëmbajtjes se kishte zvarritur riparimet në urë. Ai njoftoi madje vendosjen e një gjobe prej 150 milionë Eurosh për firmën “Autostrade per l'Italia” nën dyshimin se shkaqet e tragjedisë nuk ishin natyrore, por erdhën nga një gabim njerëzor. Kompania përgjegjëse, pjesë e grupit gjigant “Atlantia” tha se kishte vepruar në përputhje me të gjitha kërkesat e mirëmbajtjes dhe se kishte bërë kontrolle të rregullta në urë.  “Atlantia SPA” tha në faqen e saj të internetit se ka shpenzuar 11.4 miliard euro për të mirëmbajtur autostradat italiane.  Por përfaqësuesit e kompanisë konçesionare nuk e kanë zbuluar buxhetin e mirëmbajtjes për urën, e cila lidhte qytetin e Xhenovës me Francën jugore. Ditët e fundit në urë po kryej ndërhyrja e radhës për mirëmbajtjen e saj. Punimet ishin përqendruar tek zëvendësimi i kavove të hekurit që mbanin varur urën, pasi ishin vlerësuar si të vjetruara. Por 100 metrat  ku po punohej u shembën.

Antonio Brençich, një profesor i inxhinierisë në Universitetin e Xhenovës, tha për televizionin shtetëror se ura kishte filluar të degradonte vetëm dy dekada pasi ishte ndërtuar, një koment i mbështetur edhe nga banorët që jetonin pranë saj.

“Në vitet '80 copa të mëdha betoni u shkëputën nga ura dhe shkatërruan dhjetëra  makina të parkuara", tha Salvatore Lorefice, një pensionist që punonte në disa depo që ndodhen poshtë urës”.

“Autostrade per l'Italia” menaxhon 2855 kilometra rrugë me pagesë në Itali, duke përfshirë autostradën “A10” ku ndodhej ura Morandi. Por historia e kësaj kompanie të privatizuar nga “Atlanta SPA”,  në vitin 1999, është e lidhur më ngushtë me një sërë skandalesh korruptive. “Atlantia” zotëron 88 për qind të “Autostrade per l'Italia” dhe falë mbledhjes së taksave të qytetarëve, pati një fitim neto prej gati 1.2 miliardë eurosh vetëm gjatë vitit të kaluar. Kompania nuk shtrihet vetëm në Itali, pasi ka marrë me koncension më shumë se 5 mijë km autostrada në Brazil, Kili, Indi dhe Poloni. Madje, së shpejti “Atlantia” do të punojë për mirëmbajtjen e autostradave në mbarë botën, pasi kohët e fundit bleu edhe firma spanjolle “Abertis”, operatori më i madh në botë i autostradave me pagesë, i shtrirë në 15 vende.

Shembja e urës Morandi, në Xhenova

Por taksat për rrugët kanë ngjallur jo pak protesta brenda kontinentit europian. Vetëm një vit më parë Komisioni Europian e çoi Gjermaninë në “gjyq” për shkak të taksave rrugore , të cilat diskriminon sidomos shoferët e huaj. Parlamenti i Gjermanisë miratoi në mars të 2015-ës një ligj që do t’i detyronte shoferët e huaj të paguanin deri në 130 euro në vit për të përdorur autostradat e Gjermanisë, të cilat kishin qenë falas. Komisioni tha se një vend i BE-së ishte i lirë të vendoste  taksa rrugore për automjetet, por, nëse donte që të paguanin të huajt, atëherë taksa duhet të paguhet nga të gjithë. Qeveria gjermane u detyrua të tërhiqej, por nga viti në vit, Italia vazhdoi të shtonte rrugët me pagesë.

Ngjarja e urës Morandi, duket se ka hapur petët e lakrorit të shqetësimit të përbashkët edhe në Francë, që po të mos ndodhte gjëma e Italisë, nuk do të prekeshin këto plagë.

Sipas një raporti, prej 12 mijë urave të menaxhuara nga shteti francez, 1/3 e tyre kanë nevojë për riparime. 840 prej tyre janë në gjendje më tërëndë. Mediet franceze duke cituar raportin, janë shprehur se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për riparime të vogla me qëllim parandalimin e shfaqjes së problemeve strukturore, por në 7% të situatave të shqyrtuara, dëmet janë më të rënda duke shfaqur propabilitet për rrezik të lartë në të ardhmen, aq sa në këto ura është ndaluar qarkullimi i mjeteve të rënda dhe në disa i krejt automjeteve.


Shembja e urës në Xhenova ka alarmuar gjithashtu edhe Bullgarinë. Shteti më i varfër I Bashkimit Europian ka vendosur të rinovojë më shumë se 200 ura pas rënies vdekjeprurëse të një ure në qytetin italian të Gjenovës. Kjo është bërë e ditur nga vetë qeveria e Sofies. Një total prej 211 urave – shumica e të cilave janë ndërtuar midis 35 dhe 40 vjet më parë – janë në gjendje të keqe, tha ministri i zhvillimit rajonal në një mbledhje qeveritare, sipas procesverbalit të botuar të enjten.

Kryeministri Bojko Borisov tha se të gjitha duhet të rinovohen dhe të forcohen. “Nëse financohen përmes kredive për t’u paguar përmes taksave ose nëse paguajnë me buxhet, unë dua që të gjithë të rinovohen në të njëjtën kohë”, tha ai në takimin qeveritar. Bullgaria, vendi më i varfër në Bashkimin Evropian, ka marrë ndihmë financiare nga Evropa për dekada të tëra për të modernizuar infrastrukturën e saj. Vendi është afro katër herë më i madh se Belgjika, por ka vetëm 777 km autostradë, shumica e të cilave është në gjendje të keqe. 

Xhenova, ekipet e shpëtimit kërkojnë për të mbijetuar

Italia kërkon më shumë fonde nga BE-ja

Duke shprehur zemërim dhe dhimbje për shembjen e urës 50-vjeçare, qeveria populiste italiane duket se ka përdorur katastrofën si një paralajmërim për Brukselin, duke i kërkuar më shumë liri veprimi për të përmirësuar infrastrukturën e vjetruar të vendit. Pak orë pas rrëzimit të objektit, i cili “mori me vete” edhe dhjetëra automjete, Salvini tha se BE-ja duhet t’i ofrojë Romës të gjitha fondet e nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës së vendit. Pas një dite të gjatë në Sicili ai udhëtoi drejt Xhenovas, ku u tha gazetarëve se shembja e kësaj ure tregon se sa e rëndësishme është rritja e shpenzimeve dhe investimeve. Ai la të kuptohet se kufizimet e shpenzimeve nga ana e Bashkimit Europian mund të rrezikojnë jetën e italianëve.

"Nëse kufizimet e jashtme na pengojnë të shpenzojmë për rrugë dhe shkolla të sigurta, atëherë duhet të fillojmë të pyesim veten nëse ka kuptim t'i zbatojmë këto rregulla- tha Salvini- Midis rregullave fiskale dhe sigurisë së italianëve, nuk ka kompromis".

Investimet në infrastrukturë, të cilat do të llogariten pas një kontrolli emergjent të urave dhe tuneleve në mbarë vendin, janë vendosur tanimë në krye të agjendës të qeverisë, por Gustavo Piga, profesor i ekonomisë në Universitetin e Romës, tha se pavarësisht rregullave të BE-së, infrastruktura po bën kohë që nuk është një nga prioritetet e Romës.

"Italia ka nevojë urgjente për investime publike, por ato nuk kanë qenë prioriteti i politikanëve gjatë viteve të fundit", tha Piga, duke vënë në dukje se administrata e mëparshme devijoi disa fonde të dhëna për infrastrukturën, për të tjera investime.

Shembja e urës Morandi, në Xhenova

Sipas të dhënave të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, shpenzimet totale të investimeve dhe mirëmbajtjes për infrastrukturën italiane kanë rënë me 58 për qind mes viteve 2008 dhe 2015.  Por pavarësisht rënies së investimit të përgjithshëm publik, Roma nxiti shpenzimet për gjërat e përditshme si pagat publike dhe pensionet me 7 për qind. Komisioni Europian deklaroi nga ana tjetër se kishte miratuar në prill një plan investimi prej 8.5 miliardë euro në të gjitha autostradat italiane, duke përfshirë edhe rajonin e Xhenovas. “Deri në vitin 2020 , Italia do të marrë gjithashtu rreth 2.5 miliardë euro fondet nga BE-ja për të investuar në infrastrukturën e vendit, siç janë rrugët apo hekurudhat”, shtoi Komisioni.

Por ministri italian i Ekonomisë la të kuptohet të mërkurën se fondet e BE-së për infrastrukturën nuk përshtateshin me nevojën e vendit. Giovanni Tria tha në një deklaratë se përparësia e tij nuk do të ishin thjesht investimet më të larta publike, por dhe përmirësimi dhe rindërtimi i objekteve ekzistuese. Një zyrtar italian tha për mediat vendase se Tria po diskutonte tashmë një plan 10 vjeçar investimesh me zyrtarët e BE, vlera e të cilit do të arrinte në 150 miliardë euro.

A do të vazhdojë qeveria shqiptare kokëfortësinë me koncesionet?

Katastrofa “Morandi” me siguri është një kambanë alarmi që duhet të ketë rënë edhe në veshët e Qeverisë Shqiptare, por deri më tani nuk ka patur ndonjë reagim.

Janë 6 segmente rrugore dhe projekte të tjera që qeveria ka nisur deri më tani nga projekti “One billion” ose “1 miliard” në formën e koncesioneve me Partneritet Publik-Privat.  Një paketë investimesh prej 148 miliardë lekësh që është duke u aktivizuar nga qeveria “Rama” në bashkëpunim me kompanitë vendase.

Përsa i përket projekteve të infrastrukturës rrugore, bëhet fjalë për Rrugën Thumanë-Kashar, Rrugën e Arbrit, Rrugën Milot – Balldren, Rrugën Orikum – Dukat.

Segmentet e përmendura janë katër akset kombëtare me koncesion përmes PPP-ve që përmbyllin në një kohë shumë të shkurtër që prej prezantimit të tij, programin “1 miliard euro” të qeverisë Rama.

Shuma totale për ndërtimin e këtyre projekteve llogaritet 712 milionë euro, por me të gjitha interesat që do t’u paguhen privatëve, kostoja arrin në një miliardë euro. PPP-të prej kohësh janë një shqetësim i vazhdueshëm si për ekspertët vendas, por edhe për organizmat ndërkombëtare që si çomange u bien kokës së qeverisë në çdo takim apo raport të përpiluar prej tyre.

FMN vazhdon të kundërshtojë deri në fund këtë mekanziëm investimi të projekteve të qeverisë, pasi precedentët negativë të koncesioneve në të shkuarën, mungesa e ekspertizës dhe kapaciteteve monitoruese të Shqipërisë e njëkohësisht mungesa e transparencës, i shtojnë më tej rreziqet. FMN e argumenton qëndrimin e saj se “kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë” duke shtuar se  “Përpara se të merret vendim, të bëhet një vlerësim i kujdesshëm në mënyrë që qeveria të mos marrë më shumë rreziqe dhe bëhet fjalë për projekte që jo me doemos i shfaqin rreziqet në pasqyrat e qeverisë. Në rastin e propozimeve të pakërkuara, është parë që zakonisht ndodh që qeveria merr më shumë rreziqe, të cilat më pas sjellin kostot e tyre përkatëse” dhe këto projekte për FMN rezultojnë të mos jenë fizibël dhe përfitimet që shqiptarët mund të kenë nga kjo formulë e koncesioneve janë të paqarta. Madje FMN dyshon se rrethi i përfituesve është fare i ngushtë.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri Arben Ahmetaj

Pas publikimit të raportit të DASH, në një konferencë për shtyp Ministri Ahmetaj deklaroi i patundur se qeveria shqiptare do të vazhdojë me financimin e projekteve përmes PPP-ve, por do të heqë ofertën e pakërkuar.

Në një kohë kur Ura Morandi ka tronditur kryesisht gjithë Europën dhe qeveritë e vendeve u kanë vënë gishtin kokës në lidhje me konçensionet, do të presim nëse qeveria shqiptare do të reflektojë këtë herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë