Mendim

#Unëjamipërgjegjshëm-Koha që gjithsecili mund të bëjë diçka

Nga Sabina Veizaj dhe Enkeleid Llanaj - Një nga masat parandaluese për të kufizuar përhapjen e COVID 19 që sot autoritetet i mëshojnë më shumë është vetëkarantinimi. Por a janë njerëzit aq të gatshëm ta bëjnë vullnetarisht diçka të tillë?!…

Pasi u shuajt vala epidemike e Ebolës që vrau mbi 11 mijë njerëz, njerëzimi bëri pyetjen a kishte mundësi që përhapja e saj  të kufizohej?

Një nga gjetjet interesante në një studim të vitit 2017, ishte se gati 10 për qind e njerëzve të pyetur që vinin nga vatrat e epidemisë dhe ishin prekur nga virusi refuzonin të tregonin të vërtetën. Dy ishin shkaqet: TURPI dhe FRIKA për të qëndruar në karantinë për shkak të gjitha pasojave që vinin pas saj, p.sh humbja e vendit të punës, mungesa në familje, stresi etj.

Diçka e tillë mund të pritet edhe nga shqiptarët. Ne nuk jemi qënie të ndryshme nga bota tjetër, pavarësisht kulturave e nënkulturave.

Qasja me panik ndaj sëmundjes është e njëjta, ndryshon vetëm shkalla.

Por çfarë duhet të bëjmë ne? Përtej këshillave dhe urdhërave nga institucionet e shëndetit apo qeverisë.

Nëse kujtojmë ngjarjen e tërmetit të 26 nëntorit dhe periudhën relativisht të gjatë që e pasoi me paslëkundje, profesorja dhe inxhinierja e moshuar Luljeta Bozo, një zbulim mediatik i këtyre kohëve, u bë një ishull besimi për të gjithë shoqërinë e lëkundur emocionalisht nga frika e pasojave që po shkaktonte ajo ngjarje natyrore. Fatkeqësisht ajo mbeti vetëm dhe fatkeqësisht institucionet me njerëzit brenda tyre nuk u ngritën dot në nivelin e profesore Luljetës.

Veçanërisht në situata emergjente dhe të panjohura njerëzit dhe shoqëria kanë nevojë më shumë se kurrë për të besuar..

Një profesore Luljeta në shëndetësi, por  vetëm një nuk mjafton, duhen më shumë. Vetë njerëzit  mund të bëjnë diçka më të madhe dhe të shumëfishojnë efektin “Luljeta”.

Po të vërejmë Italinë fqinje, gjendja prej Koronavirusit po shfaqet alarmante për shkak të rasteve të shumta të reja çdo ditë të infeksionit që po sjellin tejmbushjen e reparteve të terapisë intensive.

Mungesa në vijim e kapaciteteteve të përballueshme nga Shërbimet Sanitare Kombëtare atje, do të sjellë trajtimin e diferencuar në varësi të moshës dhe simptomave.

Gjendja e emergjencës në Itali, pas dekretit të pasdites së djeshme (8 marsit) për vënien në Karantinë të të gjithë Lombardisë dhe 14 provincave deri më 3 prill, ka vënë në lëvizje të gjithë personazhet publikë me influencë në shoqëri për të sensibilizuar përgjegjësi sociale duke qendruar në shtëpi dhe zbatuar me përpikmëri rregullat e higjenës personale dhe të tjera që janë përcaktuar nga institucionet kompetente.

Me hashtagun #iorestoacasa (#unëqëndrojnështëpi) ata kanë ftuar të gjithë bashkëkombësit të bëjnë këtë sakrficë për veten, të afërmit dhe shoqërinë për të mos patur të infektuar të rinj sepse është e pamundur të përballohen për shkak të kapacitetit në terapitë intensive.

Që nga Fiorello, Amadeus, Ligabue, Jovanotti, Emma Marrone, Francesco Renga, Chiara Feragni, Mara Venier, etj, përmes programeve të tyre apo llogarive personale në rrjetet sociale ata kanë bërë apel për të qendruar në shtëpi.

“Terapitë intensive për pak do të jenë tërësisht të mbushura. Ju lutem, të mos arrijmë në këtë pikë”- thotë Chiara Feragni, influencerja 32 vjeçare italiane që ndiqet nga 18,6 mln njerëz.

Ajo u ka kërkuar personave që punojnë në sistemin shërndetësor ti shkruajnë që ti publikojë për të rritur besueshmërinë ndër qytetarë që ta kalojnë këtë të keqe të përbashkët që i ka kapluar.

Në postën e saj kanë vërshuar mjekët, infermierët dhe persona që e kanë pësuar koronavirusin në shpinë duke treguar historitë personale në kohën e virusit e duke bërë apel për të qendruar në shtëpi duke zbatuar rregullat e bëra publike.

Në Shqipëri deri më tani janë vetëm 2 raste të konfirmuar dhe një i tretë që nuk është zyrtarizuar ende. Por sjellja e këtij virusi të ri nuk njihet ende, kështu që të gjithë kemi nevojë të parapërgatitemi për çdo situatë dhe të paktën të mendojmë për vete dhe ata që na rrethojnë.

Për ne sot hashtagu #unëqendrojnështëpi,  ndoshta ka më shumë kuptim nëse do ta shqipëronim #unëjamipërgjegjshëm. Është minimumi që mund të bëjmë duke zbatuar rregullat që autoritet shëndetësore na këshillojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë