Politike

“Unaza e Re”, Meta: Korruptiv! Të anulohet. Rama: Je kreu më serioz i opozitës

Me informacionin e siguruar nga institucionet e Qeverisë dhe pas takimit me një grup të banorëve të zonës së Unazës së Re që preken nga projekti për rindërtimin e aksit nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja, Presidenti Ilir Meta ka krijuar bindjen se projekti shkel Kushtetutën dhe disa ligje të vendit dhe duhet të anulohet.

“Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombëtar i Territorit duhet të anulojnë menjëherë Projektin për “Rehabilitimin e segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”, që pretendohet të zbatohet, i cili është miratuar me Vendim nr. 1, datë 20.11.2018 të KKT-së”, thotë kreu i shtetit në qëndrimin publik të mbajtur për këtë rast.

Një prej shkeljeve që thekson Presidenti Meta është segmentarizimi i aksit.

“Është denoncuar dhe faktuar publikisht, procedurat e prokurimit që ka zhvilluar ARRSH janë shumë problematike sepse realizimi i këtij projekti është ndarë subjektivisht në 3-lote të veçanta. Ky fakt krijon bindjen se ndarja në 3 lote është bërë me qëllim fragmentarizimin e fondeve në dispozicion, ruajtjen e kufijve monetarë me qëllim shmangien e kompanive ndërkombëtare në këtë proces tenderimi, si dhe çdo veprim është në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe rregullat e miratuara nga Këshilli i Ministrave për këtë fushë”, thuhet në deklaratë.

Meta kritikon gjithashtu edhe rihapjen e garës për segmentin e fituar me dokumentacion të falsifikuar nga kompania DH Albania. Presidenti e quan të nxituar këtë vendim përsa kohë Prokuroria po heton për skandalin në fjalë.

“Vendimarrja e qeverisë dhe ARRSH-së, për të rihapur procesin e tenderimit për realizimin e kësaj vepre, pas zgjidhjes së kontratës për këtë segment rrugor, e krahasuar kjo me faktet e denoncuara publikisht,vlerësohet si një veprim i nxituar dhe aspak objektiv. Kjo sepse, aktualisht organi i Prokurorisë është duke kryer hetime në këtë çështje, dhe nga ky hetim mund të zbulohen fakte dhe rrethana të cilat mund të sjellin pasoja të drejtëpërdrejta që ndikojnë në mënyrën se si kjo vepër duhet realizuar”, vlerëson Presidenca.

Presidenti Meta akuzon autoritetet publike se kanë realizuar ndërhyrje për prishjen e objekteve në terren, pa ndjekur procedurat ligjore dhe pa asnjë njoftim paraprak zyrtar, duke sjellë një situatë tensioni dhe pasigurie jetike tek secili prej banorëve të prekur nga ky projekt.

“Në këtë mënyrë, janë shkelur rëndë dhe me kokëfortësi të drejtat themelore kushtetuese të njeriut. Për më tepër, kjo sjellje presioni, intimidimi mbi banorët, familjarët dhe fëmijët e tyre kanë shkaktuar trauma psikologjike me pasoja shëndetsore dhe sociale”, thuhet në deklaratë.

Meta akuzon gjithashtu disa institucione dhe ministri se nuk u janë përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të Presidencës për informacion mbi këtë projekt. Institucionet, që Presidenti thotë se kanë shpërfillur kërkesën e tij për informacion janë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Drejtësisë, ALUIZNI, Hipoteka, IKMT dhe Ministria e Brendshme.

“Presidenti i Republikës vlerëson se kjo sjellje e institucioneve publike për mosdhënien e informacionit të kërkuar nga Kreu i Shtetit është jashtë çdo llogjike normale të funksionimit të institucioneve shtetërore në një vend demokratik”, shtohet në deklaratë.

Kryeminsitri Edi Rama iu përgjigj përmes rrjeteve sociale. Presidentin e akuzon se urren Qeverinë dhe e cilëson si kreun më serioz të opozitës.

https://twitter.com/ediramaal/status/1092068233673404417?s=19


“E vërteta është se IM është drejtuesi më serioz i opozitës.Kushtetutën e lexon njësoj si ata.Qeverinë e urren njësoj si ata.Rrëmujën e uron njësoj si ata.Po ndryshe nga ata,ai i ul vartësit të mbushin çarçafë me dokrra "ligjore" dhe budallallëkut i del për zot pa pikën e galje”, shkruan ai.

Përgjigjen ndaj këtij reagimi të Kryeministrit e dha zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi. Ai risjell në kujtesë amullinë me tenderin për lotin 1 të Unazës së Madhe, të fituar nga DH Albania. Pyetja që ngre zëdhënësi Blushi është nëse shteti shqiptar ka arkëtuar rreth 2 mln euro vlerën e siguracionit të kontratës apo jo.

“Vlera e fondit limit të tenderit të shpallur nga ARRSH për Lotin 1 ka qenë = 2 246 450 297 Lekë OSE 18 116 534 EURO. Vlera e kontratës së lidhur me kompaninë fiktive "DH Albania" = 2 246 450 000 Lekë ose 18 116 532 EURO. Sigurimi i Kontratës prej 10 % te vlerës së kontratës në shumën = 224 645 000 lekë të reja OSE 1 811 653 EURO. Sipas "dokrrave ligjore" që kanë përgatitur vartësit e tij, lindin disa pyetje për Kryeministrin: A ka kërkuar sipas rregullave të prokurimit publik qeveria dhe ARRSH konfiskimin e kësaj vlere (sigurimin e kontratës) për llogari të Shtetit Shqiptar, pasi u faktua se kontratën e kishin lidhur me një kompani fantazëm?bA ka mundur shteti të garantojë interesin publik në këtë rast, duke konfiskuar sigurimin e kontratës, apo edhe ky dokument (sigurimi i kontratës) ka qenë i falsifikuar?!”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë