Politike

“Unaza e Re”, Basha-Ramës: Zmbrapsu

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia blu ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit Rama. Kryedemokrati Basha përsëriti edhe njëherë akuzat përse me projektin e Unazës së Re, po bëhet një mega-aferë korruptive.

“Afera e Unazës së Re është kryekëput një aferë e madhe korruptive, ku po paguhen 40 milionë euro për 2 kilometra rrugë. ‘Diarreja’ e akuzave të lëshuara nga Agai i Surrelit, në drejtim të gazetarëve dhe opozitës, vjen për të mbrojtur këtë aferë që synon të mbushë xhepat e tij dhe ortakëve të tij”, deklaroi Basha.

Ai e akuzoi kryeministrin se po shet Shqipërinë duke i bërë thirrje të tërhiqet nga afera korruptive e Unazës.

“Kështu e mbajte mandatin e parë, i bëre kriminelët biznesmenë dhe kështu do t’i bësh gratë e vajzat dëshmore për karrigen tënde o i çmendur, o i sëmurë. Për para po shet Shqipërinë. Tërhiqu nga afera korruptive e Unazës. Asnjë centimetër nuk do përparosh. Do jemi aty për të të penguar ty dhe së shpejti do marrësh atë që meriton. Ndal dhunimit të nënave, ndal dhunimit barbar. U bëj thirrje autoriteteve të verifikojnë torturat njerëzore. Nuk ka për të përfunduar me kaq Edi Rama. Nuk ke për t’i marrë ato 40 mln euro. Kjo është vija e kuqe për ty dhe çdo shqiptar. Zmbrapsu dhe mendohu mirë. I bëj thirrje çdo polici dhe policeje të mos përballen me motrat e vëllezërit e tyre, por të bëhen pjesë e qëndresës”, deklaroi kreu i PD-së.

Reagimi i kreut të Partisë Demokratike erdhi pas deklaratës së kryeministrit Rama, që akuzoi opozitën për plagosjen e efektives Ina Nuka, ndërsa theksoi se “për fat, ajo nuk u bë dëshmorja e parë e Policisë së Shtetit”.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë