Politike

“Unaza e Re”, Basha akuzon sërish Ramën: Mori 4 mln euro kapar!

Nga protesta e radhës e banorëve të “Unazës së Re”, kryetari i Partisë Demokratike denoncoi edhe njëherë atë që e quajti vjedhje të projektit të dyshes Rama-Veliaj.
Basha tha se situata e krijuar në vend, ku kanë shpërthyer protesta në disa qytete nuk është e rastësishme.

“Kjo që po ndodh është pasojë e degjenerimit të qeverisë. Shqiptarët nuk po e mbajnë më dot peshën e keqqeverisjes. Prej vitesh vendi nuk qeveriset më. Me një segment ekzistues të Unazës së Madhe pa asnjë transparencë lind një projekt i dhuruar i cili çon në një tender korruptiv, - tha Basha. - Për të mundësuar këtë vjedhje rekord, janë 40 mln euro për 2 km. Po të mos ishte rezistenca e banorëve sot këto shtëpi do të ishin prishur”.

Sipas Bashës, “Edi Rama ka marrë drejtpërdrejt përfitimet e kësaj afere. Përflitet një kapar prej 4 mln eurosh si fillim, i cili i është dorëzuar përmes Afrim Qendros, Edi Ramës. Gjithsesi kjo është një gjë që duhet ta hetojë deri në fund drejtësia”, tha Basha.

Kreu i opozitës e cilësoi kryeministrin si “Sheiku i Surrelit” dhe foli për një plan të fshehtë të Ramës, që do t’i hapte rrugë ndërtimit të pallateve shumëkatësh në vend të banesave që do tu shmeben banorëve të Astirit. Sipas Bashës, këto investime do të kryhen për llogari të krimit të organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë