Lajme

Unaza e Madhe, PD: ARRSH, pazar me “Gjoka Konstruksion”

Partia Demokratike pretendon se zotëron dokumente mbi mashtrimin publik të ARRSH për tenderin e paracaktuar të Unazës së Madhe. Sipas selisë blu, kriteret janë ndryshuar për llogari të “Gjoka Konstruksion”. Nëpërmjet një deklarate PD, kërkon sqarim prej ARSH-së.

“Në përgjigje të reagimit të dëshpëruar të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ky i fundit, meqë ka marrë përsipër barrën e rëndë të pastrojë të papastrueshmet e kryeministrit-urdhërues, duhet të sqarojë:

Përse gënjen publikisht kur deklaron se “Kriteret dhe kërkesat ligjore në këtë garë, të publikuara edhe në Agjencinë e Prokurimit Publik janë të njëjtat me ato të garës së mëparshme për të njëjtin lot të unazës dhe nuk ka ndryshuar asnjë prej tyre?”.

Përse kriteri për paraqitjen e licencës u ndryshua nga licenca NP – 12/G Punime të inxhinierisë së mjedisit, në licencën NP – 12/F Punime të inxhinierisë së mjedisit?”.

Në dokumentet e saj, PD thekson se ë tryezën e pazarit është vënë licenca që “Gjoka Konstruksion” disponon, pra NP – 12/F Punime të inxhinierisë së mjedisit dhe kjo e ka shtyrë ARRSH të rrëshqasë në rrjedhën e paligjshmërisë së nisur në shtator 2018.

Sipas PD-së, faktet e mësipërme janë zyrtarisht të publikuara në sistemin e prokurimit publik elektronik dhe pavarësisht kësaj, ARRSH-ja, nën urdhrat e kryeministrit, merr përsipër të deklarojë fals, pasi nuk u mjaftua me tentativën për t’i dhuruar tender kompanisë fantazëm me dokumente po false.

“Me ketë deklaratë që paraqet fakte të rreme, ARRSH-ja nuk bëri gjë tjetër, veçse vërtetoi denoncimin e sotëm të PDSH”, - mbyllet komunikata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë