Politike

Ulsi Manja, kallëzim penal për 21 janarin: SPAK të hetojë nëse audio-përgjimi është autentik  

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se do të dorëzojë brenda ditës në SPAK (në cilësinë e ministrit) kallëzimin për protestën e 21 Janarit ku u vranë katër protestues në bulevard.

“Ka një fakt të ri që duhet të hetohet në mënyrë objektive nga SPAK. Ne nuk i hyjmë nëse prova që ka dalë është autentike apo jo, kjo i takon SPAK-ut që të hetojë dhe ta deklarojë një gjë të tillë. Ato që ndodhën më 21 janar nuk kanë asnjë justifikim. Kushdo që i justifikon ato vrasje bën një krim tjetër kundër drejtësisë. S’mund të barazohen vrasësit me protestues të lirë, njerëz me duar në xhepa. Ish-Kryeministri e ka thënë që përsëri po të isha në të njëjtat kushte do kisha marrë snajperin dhe do të kisha vrarë edhe Edi Ramën. Edhe vetëm për këtë deklaratë do të duhej të merrej i pandehur. Ne nuk e kemi pritur nga drejtësia e vjetër por tashmë SPAK”, tha Manja.

Duke mbetur tek detyrat e SPAK, Manja vijoi:

“SPAK, kompetente për hetimin e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë të shtetit të bëjë drejtësi për 21 janarin. Nuk është hetuar asnjë ditë si vrasje shtetërore. Fakti i bërë publik para pak ditësh tregon qartë se paska pasur një zinxhir komandues urdhërues për të qëlluar mbi protestuesit.  Prokuroria ta marrë këtë provë të re dhe të fillojë hetimet një orë e më para për vrasje shtetërore.

SPAK duhet t’i japë përgjigje familjarëve fillimisht por edhe të gjithë shqiptarëve se çfarë ndodhi më 21 janar 2011. 

Berisha, çdo ditë për 12 vite me radhe, edhe sot ka deklaruar se protestuesit në Bulevard i vrau Garda e Republikës e cila sipas tij mbrojti Kryeministrinë.  Prokuroria të zbardhë përfundimisht të vërtetën. 21 janari nuk ishte një krim i rëndomtë por vrasje të pastra shtetërore. U vranë 4 qytetarë në kohën kur protesta ishte drejt përfundimit.

Tashmë ka një provë të re që duhet ta hapë 21 janarin. Edhe drejtësia që pretendohet se është bërë për 21 janarin, me vrasje nga pakujdesia. Ato  vrasje nuk mund të jenë kurrsesi vrasje nga pakujdesia nëse pranohet fakti se ka pasur komunikime nga ‘grupi i zjarrit’, kjo mbetet krim shtetëror dhe ngjarje për ta hetuar. Ne jemi në anën e drejtësisë, e kemi inkurajuar të hetojë për këdo. Nëse sot ka zyrtarë të dënuar për vepra nga më të lehtat, pse hezitohet të çohet deri në fund një ngjarje e tillë kaq e madhe. Sot do ta dorëzojmë kallëzimin në SPAK pastaj administrimi i kasetës si provë i takon këtij organi”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë