Menaxhim

Ulet avioni i parë në aeroportin e Vlorës, Rama: Projekt sfidues. Në Kukës do të nisin fluturimet me ‘Air Kosova’

Nga Gazeta ‘SI’ – Në aeroportin e Vlorës është ulur avioni i parë, si fluturim certifikues, në pritje të finalizimit të këtij projekti.

Pjesë e testit ishte kryeministri Edi Rama i cili falenderoi Kosovën për bashkëpunimin dhe theksoi se ka qenë një projekt sfidues. Rama tha lajmin se në aeroportin tjetër të vendit, atë të Kukësit shumë shpejt do të nisë operimin një kompani shqiptare “Air Kosova”.

“Do të kemi së shpejti një kompani të re shqiptare që do të nisë fluturimet në aeroportin e Kukësit. ‘Air Kosova’ do të jetë kjo kompani, me dy avionë të krenarisë sonë të përbashkët. Kompania është regjistruar që në janar të këtij viti dhe po punon për të siguruar avionët. Nuk do të jap datë sepse kam mësuar që këto datat që jap unë fusin brenda syrin e keq. Dhe tani syri i keq plasi se baca zbriti! Do jetë aeroport ndërkombëtar për të gjithë vitin, jo thjesht turistik. Për fluturime low-cost”, u shpreh kryeministri.

Rama pranoi se ka pasur vështirësi në operimin e aeroportit të Kukësit për shkak se nuk janë gjetur dot operatorët.

“Është e vërtetë, aeroporti i Kukësit ka pasur një sfidë për të siguruar operatorët, nuk është i thjeshtë, ka një problematikë me korridorin e uljes dhe nga ana tjetër për të pasur operatorët, duhet të krijosh besimin e duhur që nuk do jetë një operacion me humbje të paarsyeshme. Operatori që operon aeroportin ka bërë përpjekeje për të lidhur marrëveshje e kontrata, mirëpo nuk e ka gjetur dot në kohë një akullthyes që do dëshmojë se ai aeroport ia vlen. Siç ishte aeroporti i Tiranës, që ishte më i shtrenjti i Europës”, përfundoi kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë