Futboll

UEFA vendos të mos luhet pjesa e dytë e Belgjikë-Suedi, 1-1 rezultat përfundimtar

Gazeta Si – Ndeshja e pezulluar në pushimin e saj me kërkesën e lojtarëve, pas lajmit për vrasjen e dy tifozëve suedezë më Bruksel, nuk do të rikuperohet. Ky është vendimi që ka marrë UEFA sot.

Belgjikë-Suedi 1-1. Është rezultati përfundimtar i njohur nga UEFA për ‘ndeshjen e atentatit’. Kjo ndeshje u ndërpre në pushim, sapo u morr vesh lajmi për vrasjen e dy tifozëve suedezë nga një terrorist pak para se të niste loja.

Sipas një komunikate të UEFA-s, ndeshja e vlefshme për Grupin F të kualifikueseve të Euro 2024, nuk do ta luajë pjesën e dytë. Belgjikës dhe Suedisë do t’u shtohet nga një pikë secilës, ndërsa kartonët e verdhë të dhënë gjatë pjesës së parë janë të konfirmuar.

UEFA saktëson në komunikatën e saj se vendimi për të quajtur të vlefshëm rezultatin është marrë, sepse nuk ishte e mundur të vazhdohej ndeshja ditën pasardhëse, duke parë dëshirën e Belgjikës dhe Suedisë për të mos zbritur në fushë pas sulmit terrorist. Barazimi veç të tjerash nuk ka asnjë ndikim në klasifikimin e grupit. Belgjika është kualifikuar për në Euro 2024, kurse Suedia është jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë