Futboll

UEFA vë sërish në shënjestër PSG-në, heton transferimin e 3 lojtarëve në Katar

Gazeta Si – UEFA ka vënë në shënjestër raportin mes klubit të Naser Al-Khelaifit dhe klubit të gadishullit arab, Al Arabi, që ka blerë së fundi Marko Verratin, Abdou Dialo dhe Julian Draksler.

Sipas "L'Équipe", shitja e këtyre lojtarëve nga PSG ka ngritur alarmin në zyrat e organit që drejton futbollin europian. UEFA ka vendosur të hetojë mbi raportet mes klubit francez dhe vendit të pasur të Lindjes së Mesme. Lëvizjet e fundit kanë çuar në arkat e PSG-së 80 milionë euro.

Nuk është hera e parë që klubi parisien, në pronësinë e fondit të investimit ‘Qatar Sports Investments’, hetohet nga UEFA. Më parë janë bllokuar prej saj disa kontrata sponsorizimi me kompani katariote (BeIN Sport, Qatar Tourism, Aspetar), pasi të dyja palët kishin lidhje direkte mes tyre.

Një situatë e ngjashme ka të bëjë me shitjen e Verratit dhe disa lojtarëve të tjerë. Në Nion po hetohet për afërsinë mes PSG-së dhe klubit që ka blerë kartonët e lojtarëve të përmendur më sipër.

Nëse konfirmohet lidhja direkt mes tyre, skuadra e Luis Enrikes do të përballej me një shkelje të ‘Fair Play Finanziar’, që do të thotë se ka rrezik bllokimi të trasferimit të tre lojtarëve në klubin nga Katari.
Bashkëpunëtorët e Naser Al-Khelaifi kanë përgënjeshtruar gjithçka që është shkruar në faqet e "L'Équipe", me pretendimin se kalimi është bërë në transparencë të plotë dhe sipas rregullave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë