Futboll

UEFA publikon protokollin e sigurisë për Champions

UEFA ka publikuar protokollin e sigurisë, me të cilin do të luhet “Final Eight” e Ligës së Kampionëve në Lisbonë. Janë rregulla, që duhet të respektohet rreptësishtë nga të gjithë për t’i ruajtur ndeshjet pa raste pozitive të koronavirusit dhe për të siguruar që futbolli të luhet normalisht. Laboratori “SYNLAB” do të jetë përgjegjës për testimin e lojtarëve. I gjithë stafi i secilit klub dhe ata që do të hyjnë në stadiume do t’i nënshtrohen një PCR (tamponit) para ndeshjeve. Vetëm ata që kanë autorizim, pasi të kenë rezultuar negativë në tamponët e tyre, mund të hyjnë në stadiume. Gjithashtu, dy ditë para mbërritjes në Lisbonë, të gjithë udhëtarët duhet të çertifikojnë pranë organit përkatës europian se nuk janë të infektuar.

Një aspekt tjetër i protokollit të UEFA është ndalimi i zonave të zakonshme në stadiume. Është vendosur që saunat ose xhakuzi nuk mund të përdoren. Po kështu, kërkohet që shishet me ujë ose pije të ndryshme të jenë për përdorim individual. Organi kompetent, nga ana e tij, flet për rregullore të tjera themelore, siç janë distanca e sigurisë në stol, dezinfektimi i topave apo eliminimi i përdorimit të zonave të përziera për të gjitha mediat.

Për të siguruar që kompeticioni të mund të përfundojë dhe të shpallet një kampion i ri europian, UEFA kërkon që ndeshjet të luhen për aq kohë sa të jenë në dispozicion minimumi 13 futbollistë të listës A. Madje, do të lejojë ardhjen e lojtarëve të tjerë, për sa kohë që ata janë të regjistruar në federatën e tyre kombëtare. Në atë rast, lojtarë si Martin Braithwaite mund të kenë hapësirë, nëse te Barça ka të infektuar nga Covid-19. Sigurisht, UEFA rezervon mundësinë e shtyrjes së ndeshjeve nëse skuadrat përfshihen nga disa raste pozitive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë