Futboll

Uefa përshpejton Super Champions për të larguar kërcënimin e Super League

Një Super Champions për të larguar kërcënimin e një Super League. Ky është qëllimi i Uefa dhe Fifa, për të zbehur përgjithmonë ambiciet e klubeve më të rëndësishme evropiane për të krijuar një kampionat kontinental që përfshin vetëm skuadrat më të pasura dhe më të famshme. Presidenti Ceferin, sipas gazetës spanjolle As, është duke punuar për projektin e një Champions League të ri që duhet të zgjasë nëntë vjet, në periudhën mes 2024 dhe 2033, por turneu mund të sillet përpara si produkt, në 2022 ose 2023.

Presidenti i Uefa është përpjekur ti japë formë formatit të ri për javë të tëra, së bashku me një komitet ekspertësh që punojnë në aspektet rregullatorë dhe logjistike. Ekipi drejtues përbëhet nga dy nënkryetarë të UEFA-s, spanjolli Luis Rubiales dhe portugezi Fernando Gomes. Theodore Theodoridis, sekretari i përgjithshëm, do të punojë gjithashtu në projekt. Vetë Ceferin po negocion me pesë klube që përfaqësojnë Shoqatën Evropiane të Klubeve: Real Madrid, Juventus, Manchester United, Fenerbahce dhe PSG.

Presidenti i Uefa ka punuar për muaj me radhë për të përmirësuar Champions League aktuale, në çdo aspekt, si dhe pjesën tjetër të kompeticioneve të Konfederatës që menaxhon futbollin Evropian. Struktura dhe kalendari i këtij turneu të ri, modeli i tij i biznesit, me shpërndarjen e të gjitha burimeve që gjenerohen, janë linjat kryesore mbi të cilat vërtiten bisedimet e fundit. Ekziston diçka e panegociueshme në draftin e turneut: ndeshjet e ekipeve kombëtare do të duhet gradualisht ti bëjnë vend, që Super Champions të futet në kalendar. Për këtë, duhet të zvogëlohen me katër ose pesë javë kalendarët e kampionateve kombëtare, të cilat do të përbëhen nga 16 ose 18 ekipe. Sipas ‘As’, ideja e Ceferín po fiton mbështetje nga shumë klube të tilla si Juventus. Qëllimi i tij është të bindë Real Madrid të mbështesë iniciativën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë