Futboll

UEFA përjashton Trabzonsporin, dhunoi “Fair-play”-in financiar

Skuadrat e kualifikuara në Ligën e Kampionëve të sezonit të ri nuk janë kompletuar ende, por me siguri në këtë kompeticion nuk do të marrë pjesë Trabzonspori, që aktualisht kryeson kampionatin në Turqi me 53 pikë dhe lufton për titullin kampion, bashkë me Bashakshehirin dhe Gallatasarajin.

Dhoma juridike e UEFA-s e ka përjashtuar Trabzonsporin për një sezon nga kompeticionet europiane dhe këtë dënim klubi turk do ta vuajë sezonin e ardhshëm, pasi me siguri do të kualifikohet. Shkaku i përjashtimit ka të bëjë me “Fair-play”-in financiar. Trabzonspori duhej të sistemonte bilancin financiar brenda datës 5 qershor 2019, por nuk ia doli dhe kështu është i pashmangshëm dënimi nga UEFA.

Pas Milanit dhe Mançester Sitit, tashmë përjashtohet një tjetër klub që nuk bën pjesë në 5 kampionatet më të forta të Europës. UEFA nuk toleron aspak, kur bëhet fjalë për dhunimin e rregullave të “Fair-play”-it financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë