Rumuni Sebastian Koltesku, arbitri i katërt që u bë çështje gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve, PSG-Bashakshehir, nuk ka përdorur shprehje raciste. Ky është vendimi zyrtar i Komisionit Etik dhe Disiplinor të UEFA-s. Sipas këtij komisioni, fjalët e përdorura nga Koltesku nuk kanë natyrë raciste, kështu që nuk do të ketë asnjë dënim për të.
Provat video dhe audio që dispononte komisioni tregojnë se Koltesku dhe vijërojtësi Sovre kanë përdorur shprehjen në rumanisht “ai i ziu” për të identifikuar trajnerin e dytë të Bashakshehirit, Akil Uebo. Fjalë që në rumanisht nuk kanë domethënie pexhorative, apo negative.

Hetimi për çështjen do të vazhdojë për atë që përcaktohet si fjalor i papërshtatshëm. Koltesku gjithsesi nuk do të arbitrojë më ndeshje në kompeticionet europiane, sepse që nga dhjetori i vitit 2020 nuk ka më stemën e FIFA-s.
Kujtojmë që ndeshja PSG-Bashakshehir u ndërpre pas kaosit që përfshiu arbitrin rumun dhe stolin e ekipit turk. Edhe lojtarët e dy skuadarve në fushë u solidarizuan me afrikanët e Bashakshehirit dhe pjesa e mbetur e ndeshjes u luajt një ditë më pas, sigurisht, pa Kolteskun, që UEFA nuk e konsideron fajtor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.