Futboll

UEFA, letër Juventusit, Realit dhe Barcelonës: Po, jeni në Champions!

Nga Nioni është dërguar një letër për tre klubet, që zyrtarizion pjesëmarrjen e tyre në Kupat e Europës për sezonin e ardhshëm. UEFA ka pranuar Juventusin, Real Madridin dhe Barcelonën në edicionin 2021-2022 të Ligës së Kampionëve. Letra që UEFA u ka dërguar tre klubeve, për dijeni edhe federatës italiane dhe asaj spanjolle, mban datën 14 qershor.

Zyrtarizohet kështu pranimi i 3 klubeve në Kupat e Europës, pas pezullimit të procedimit disiplinor që UEFA hapi kundër Juventusit, Barcelonës dhe Real Madridit për çështjen e Super Ligës. Një pezullim që lidhet me veprimet gjyqësore që po bëhen nga Gjykata e Madridit dhe Këshilli i Drejtësisë të Bashkimit Europian.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ishte ndërkohë i pranishëm në mbledhjen e ECA-s (shoqatës së klubeve europiane) në Mynih, mbledhja e parë kjo me president Naser Al Khelaifin, që ka zëvendësuar Andrea Anjelin. "Falë lidhjeve tona të forta me ECA-n, mund ta modernizojmë futbollin europian”, - tha Ceferin, kurse numri 1 i PSG-së u shpreh: "ECA dhe UEFA ecin dorë për dore, më të fortë se kurrë, me interesin e përbashkët për ta promovuar dhe mbrojtur futbollin europian”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë