Federata njoftoi ditën e sotme vendimet e marra nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, ku anëtar është edhe presidenti i FSHF, Armand Duka. Dy vendimet që bien në sy janë lejimi i mbushjes 100% të stadiumeve dhe shtyrja e rregullit të 5 zëvendësimeve, i vendosur në kushtet e ngjeshjes së ndeshjeve prej pandemisë.
Gjatë mbledhjes së fundit u miratuan një sërë vendimesh të rëndësishme që kanë impakt të menjëhershëm në futbollin europian, siç është pranimi i spektatorëve në stadiume, duke hequr kufizimin e pjesëmarrjes 30% që ishte vendosur nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s më 1 tetor 2020. Në të njëjtën kohë do të hiqet ndalimi për spektatorët që marrin pjesë në ndeshjet e futsallit. Vendimi për pjesëmarrjen totale të lejuar të spektatorit do të jetë nën përgjegjësinë ekskluzive të autoriteteve përkatëse lokale ose kombëtare. Në këtë vendim është ndaluar shpërndarja e biletave ose ftesave për tifozët udhëtues deri para finaleve të garave për klube të UEFA-s që do të zhvillohen në maj 2021.
Një pikë tjetër e rëndësishme ishte zgjatja e afatit për rregullin e pesë zëvendësimeve në një ndeshje. Pas konfirmimit që ka dhënë Byroja e Këshillit të FIFA-s në 1 Tetor 2020 se ky rregull do të zbatohet gjithashtu në ndeshjet kualifikuese 2020-22 për Kupën e Botës FIFA 2022. Në këtë ndryshim përfshihet edhe UEFA Euro 2020 Qershor/Korrik 2021, finalet e UEFA Nation League në tetor 2021 dhe ndeshjet e Play off-it të UEFA Nations League në mars 2022.
Vendimi i fundit i marrë në këtë mbledhje ishte ai për përcaktimin e skuadrave që do të marrin pjesë në Kupën e Botës së femrave FIFA U-20 në Kosta Rika në vitin 2022. Pas anulimit të Kampionati Europian U-19 për femra 2020-2021, e cila shërbente si kualifikuese për Kupën e Botës FIFA U-20, Komiteti Ekzekutiv miratoi përdorimin e koeficientit në raundin kualifikues të ekipeve për përcaktimin e ekipeve që kualifikohen në FIFA Youth World Cups. Në përputhje me kriteret e miratuara ekipet që do të përfaqësojnë Europën në këtë kompeticion janë Spanja, Franca, Gjermania dhe Holanda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.