Vende dhe Udhetime

Udhëtim në vendin që frymëzoi filmin Avatar

Zhangjiajie gjendet në perëndim të Provincës Hunan, 330 kilometra nga Changsha, kryeqyteti i provincës Hunan, mbi njëmijë kilometra larg si nga Shangai ashtu edhe nga Pekini. Zhangjiajie u zhyt në sytë e udhëtarëve të huaj pas filmit Avatar.

Malet Haleluja në filmin “Avatar” u frymëzuan nga Shtyllat Qiellore në Parkun Kombëtar Pyjor të Zhangjiajie-s.  Parku është i famshëm për majat e larta, burimet e pastra, pyjet e dendur dhe shpellat e mëdha karstike. Më 1982 –shin, u bë i pari park kombëtar pyjor i Kinës.

Tre atraksionet që nuk duhen humbur në  Zhangjiajie janë: Parku Kombëtar, Malet Tianmen dhe ura më e gjatë dhe më e lartë prej xhami mbi Kanionin e Madh të Zhangjiajie-s. Ky Park, pjesë e Zonës panoramike të Wulingyuan-it , është e madhe dhe duhen të paktën dy ditë për ta eksploruar. Turi përfshin shumë ecje dhe ngjitje.

Më pak popullor dhe më pak i populluar sesa parku pyjor, zona e Malit Tianmen ia vlen një udhëtim. Peizazhi është krejt i ndryshëm nga parku kombëtar, me pamje të majave të maleve, ecjeve mes shtigjeve shkëmbore dhe teleferiku me pamje fantastike. Është një udhëtim më i lehtë sesa ai i parkut pyjor, me më pak ecje.

Kur të shkosh?

Fundi i pranverës dhe vera janë kohë të mira për detet e reve dhe moti i ngrohtë apo i nxehtë. Për një larmi ngjyrash më të bukura dhe mot më të thatë shkoni në vjeshtë. Muajt e ftohtë të dimrit nuk rekomandohen, sepse rrugët janë të rrëshqitshme dhe atraksionet mbyllen nëse bie shumë borë.

Aksesi

Ka një numër të kufizuar trenash direkt apo fluturimesh nga qytetet e mëdha turistike të Kinës, përfshi Pekin, Shangai, Çengdu, Ksian drejt Zhangjiajie-s. Pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës ( për të lehtësuar turizmin) Zhangjiajie është ende një qytet i vogël i rrethuar nga male, me një aeroport të vogël dhe hekurudhë jo të shpejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë