Arsimi

“Udha e Shkronjave” rihapet: Presion nga Ministria! Zoti na ruajtë!

Shkolla private “Udha e Shkronjave” njoftoi pasditen e së hënës se ditën e martë do të rinisë mësimin, pas përplasjes me Ministrinë e Arsimit mbi vendimin fillestar për të marrë një pushim dyjavor për shkak të koronavirusit.

Shkolla njofton përmes rrjeteve sociale se nën kërcënimin dhe papërgjegjshmërinë e Ministrisë së Arsimit është e detyruar që të rihapë klasat.

“Për shkak të dhunimit tepër të rëndë të Ministrisë së Arsimit që, në debat për masat e arsyeshme në dobi të shëndetit të nxënësve, të marrë nga ana jonë në konsultim me prindërit, me 100% të prindërve, në përputhje me çfarë udhëzon OBSH-ja, përdor si mjet kërcënimin mbylljen e shkollës, jemi të detyruar të ANULLOJMË VENDIMIN TONË dhe nesër TË FILLOJMË PËRSËRI mësimin në shkollë. Zoti na ruajtë ne si komunitet i shkollës “Udha e shkronjave”, thuhet në reagimin e kësaj shkolle.

Ky institucion thotë se pasojat e veprimeve dhe vendimeve të Ministrisë së Arsimit janë shumë të rënda.

“Ato rëndë do të ndikojnë psikologjinë e çdo drejtuesi dhe mësuesi, dhe jo vetëm në sistemin arsimor, duke ia mpirë atij trurin dhe duke e bërë një robot (vartës automatik) të Ministrisë së Arsimit dhe të qeverisë. Midis SHËNDETIT dhe ANTIPANIKUT ministria zgjodhi fushatën antipanik, që është një fushatë kaq evazive dhe diabolike. Ne qartësisht zgjodhëm SHËNDETIN. Deviza “SIGURIA E PARA” nuk ka më kuptim. Tani do të kemi devizën “Ministria e para”, “qeveria e para”, vijon reagimi.

Shkolla përsërit se vendimi për t’u mbyllur për dy javë u mor pas konsultimit me të gjithë prindërit, që sipas këtij reagimi kishin dhënë dakordësinë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë