Ka ndodhur

U zhvarrosën si ushtarë grekë, rivarrosen eshtrat e 108 banorëve të fshatit Kosinë

Në fshatin Kosinë të Përmetit, janë rrivarosur të martën pasdite trupat e 108 banorëve, të cilët ishin zhvarrosur në vitin 2006  me pretendimin se ishin ushtarë grekë.

Në një ceremoni të fshehtë larg medieve, morën pjesë Konsulli grek në Gjirokastër, Drejtoresha e Prefekturave të Shqipërisë, Prefekti i Gjirokastrës, Kryetarja e Bashkisë dhe zyrtarë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes.

Megjithatë familjarët janë në pritje të identifikimit të eshtrave të të afërmve të tyre. Në atë kohë, Prokuroria e Përmetit kishte kërkuar kryerjen e ADN-së, por eshtrat dhe rezultatet krahasuese ishin zvarritur ndër vite.

Përfundimisht mjekësia ligjore shqiptare konfirmoi se eshtrat e 108 personave që ruheshin në kuti metalike në manastirin e Shën Nikollës, në Këlcyrë, i përkisnin banorëve të të dy gjinive dhe të moshave të ndryshme të Kosinës.

Ngjarja mori përmasat e një skandali, sidomos kur trupat e tyre u zhvarrosën në Kishën e Shën Mërisë në mënyrë të paligjshme dhe për një shpërblim prej 100 eurosh. Asokohë, 6 persona u morën në pyetje, ndërsa prifti i Kishës refuzoi.

Disa vite pas kësaj ngjarje, edhe ekspertët mjeko-ligjorë grekë, hodhën poshtë versionin se eshtrat u përkasin ushtarëve grekë të rënë në luftën me Italinë. Pas analizave, rezultoi se ata ishin shqiptarë, banorë të zonës së Kosinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë