Treg

U zgjerua hendeku gjinor i pagave në Shqipëri, vetëm një fushë ku femrat paguhen më shumë

Nga Gazeta 'SI' - Në vitin 2022, hendeku gjinor i pagave në Shqipëri u zgjerua me pothuajse 2 pikë përqindje, duke treguar një pabarazi më të thelluar midis grave dhe burrave në tregun e punës. INSTAT raporton se ky hendek ishte 6.2% gjatë vitit të shkuar.

Norma tregon se mesatarisht, meshkujt kanë pagë 6.12% më të lartë se femrat në punë. Pabarazia më e madhe duket të jetë në aktivitetin e industrisë, me 27.2%, lidhur kjo dhe me natyrën e punës në këtë sektor. E dyta rënditet aktiviteti i financës dhe sigurimeve, me 18.3%.

INSTAT tregon se ka një fushë ku femrat paguhen më shumë se meshkujt në Shqipëri, në atë të pasurive të paluajtshme, me 0.8%. Gjithsesi kjo fushë operon me bonuse sipas kontratave të kryera dhe jo me pozicione hierarkie.

Shqipëria renditet në vendin e 25-të në botë nga 156 shtete, në Indeksin e hendekut Gjinor të vitit 2021 (i fundit i publikuar) nga Forumi Ekonomik Global.

Barazia gjinore në vendin tonë është 77%, ndërkohë që duhet edhe 23% për të mbyllur plotësisht hendekun.

Hendeku gjinor në Shqipëri është më i ulët edhe se në shtete të zhvilluara të Europës, si Italia, Spanja, apo Danimarka ndërsa në rajon, jemi të dytët pas Serbisë, që renditet në vend të 19-të.

Krahasuar me vitin 2020 vendi ynë ka humbur 5 pozicione në renditjen globale.

Gratë shqiptare renditen në vendin e 35-të në botë për pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë, ndërsa për arritjet në edukim renditen në vendin e 42-të.

Shqipëria e ka treguesin më të mirë në fuqizimin politik ku renditet e 30-a ndërsa renditjen më të përkeqësuar në vend të 147, e kemi për shëndetin dhe mbijetesën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë