Njerez

U vra nga ish-burri, familja i jep lamtumirën Vera Myrtajt në Itali

Gazeta Si - “Zemra ime, vajze ime, nëna jote nuk po qan, ajo dëshiron që ti të jesh i lumtur”. Këto janë fjalët që nëna e Vera Myrtajt vajtonte mëngjesin e të mërkurës, ndërsa arkivolin me trupin e vajzës së saj e kanë vendosur vëllezërit në varreza në Itali.

“Nëna nuk qan, është e lumtur se do të jesh ti e lumtur shpirti im”, vazhdoi të përsëriste ajo, duke iu drejtuar vazhdimisht vajzës së saj gjatë gjithë funeralit, me tone të ngjashme me ato të një kënge.

Pas funeralit privat me një rit ortodoks, makina e varrimit e shoqëroi trupin në varrezat e Spineas, ku të paktën dyqind njerëz prisnin mbërritjen e tij, shkruajnë mediat italiane.

Arkivolin e vendosën në fund të dheut vëllezërit e vajzës së re dhe burrat e tjerë të familjes, pastaj gratë u grumbulluan rreth vajzave të saj, mblodhën copa dheu dhe i thërrmuan mbi varr, ndërsa kënga e nënës vazhdonte.

“Ne nuk mund të mos ishim atje, duhet bërë gjithçka që këto ngjarje të mos përsëriten më. Është një moment shumë i vështirë për komunitetin e Spineas, - komentoi Kryetarja e Bashkisë Martina Vesnaver e pranishme së bashku me këshilltaren Franca Zamengo, – jemi pranë dhimbjes së familjarëve, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona të përzemërta”.

Në funeral, ishin gjithashtu një numër i madh të rinjsh, shokë klase të vajzave të Verës të shoqëruar nga mësuesit e tyre dhe shumë studentë të tjerë të të njëjtit institut bashkë me prindërit e tyre.

Ka qenë vajza e madhe 15-vjeçare ajo që gjeti trupin e pajetë të nënës së saj, pasi u kthye në shtëpi rreth orës 22:00.

Gruaja u vra të dielën e 20 nëntorit nga xhelozia e çmendur e ish-bashkëshortit të saj 41-vjeçar, Viron Karrabolaj, në shenjë hakmarrjeje dhe xhelozie se nëna e vajzave të saj kishte rindërtuar një jetë të re së bashku me një person tjetër, pasi ishte larguar pas viteve të abuzimit dhe dhunës.

Bashkë me Verën u vra edhe partneri shqiptar me të cilin gruaja jetonte prej disa vitesh, 23-vjeçari Flonino Mërkuri, duke e goditur disa herë me thikë në garazhin e shtëpisë ku jetonin në Via Leopardi në Spinea.

Autori më vonë zgjodhi të vriste veten në vendin e punës ku punonte. “Ne e dimë mirë se çfarë kaloi Vera, - rrëfejnë miqtë e gruas, të përkulur para arkivolit, – askush nuk e di se sa vuajtje kaloi, sa dhunë i është dashur të durojë, duke kërkuar gjithmonë zgjidhjen më të mirë për vajzat e saj. Ishin e gjithë jeta e saj, ajo jetoi vetëm për to”.

Vajzat tani ndoshta do të zhvendosen në shtëpinë e dajave të tyre, kujdestarëve të tyre ligjorë.

“Mendja kujton gjithmonë atë që zemra nuk e harron kurrë”, shkruan familja krahas fotos së epigrafit, frazë që vendosën pranë shiritit “Nga familja”, e cila mbështillte arkivolin tërësisht të mbuluar me lule të Vera Myrtajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë