Ne rrjet

U shpall ‘non grata’, kryetari i komunës së Strugës: Kam ngrirë pozicionet në parti, i hapur për drejtësinë

Pas shpalljes “non grata” nga SHBA, kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko ka ngrirë pozicionet e tij në strukturat partiake (BDI) deri në mbylljen e procesit. 

Merko thotë se SHBA mbetet aleat i Maqedonisë së Veriut dhe se është i hapur për çdo vendim të organit të drejtësisë së Strugës.

“Që nga Presidenti Uillson e deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë në çdo sfidë dhe bashkë kemi realizuar shume projekte të rëndësishme për vendin, qytetin dhe qytetarët e Strugës.

Mbështetjen vijuese amerikane për vendin tonë dhe qytetarët e Strugës e mirëpres dhe e përkrah gjithmonë.

Pas zhvillimit të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, nuk kam dashur të komunikoj në të mirë të proceseve për të cilat do të jem i hapur si çdo herë në përkrahje të drejtësisë dhe për secilin proces në organet e drejtësisë nga ana e institucionit të Komunës së Strugës dhe nga ana ime do të dorëzohet në kohë sa më të shpejt ashtu siç kam qenë transparent çdo herë për organet e drejtësisë dhe gjithë institucionet e tjera.

Për këtë, në të mirë të procesit, vendosa që secilin aktivitet në strukturat partiake ta ngrij deri në mbylljen e proceseve të rëndësishme për të gjithë”, thotë ai.

Ramiz Merko u shpall ‘non grata’ nga SHBA më 20 qershor. 

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë