Rend dhe Ligj

Skema e mashtrimit / ‘Jam kryebashkiaku i Vlorës’, si tentoi Florian Gjergji t’i zhvatë 35 mijë euro biznesmenit

Gazeta Si - Një skemë mashtrimi ndaj një biznesmeni të njohur me qëllim përfitimin e shumave të mëdha monetare, është zbuluar nga policia.

Florian Gjergji, i shpallur në kërkim, dyshohet se është organizatori i skemave të tilla, ku në bashkëpunim me persona të tjerë, hiqej si zyrtar i lartë për t’i marrë biznesmenëve shuma të mëdha parash.

Si rezultat operacionit “Mashtrimi”, u bë arrestimi i 34-vjeçarit Afrim Radiçi, banues në Librazhd, 41-vjeçarit Gëzim Çelanji, banues në Skrapar dhe 22-vjeçarit Qazim Vata, banues në Kukës. 

Shtetasit e arrestuar, i shkruanin përmes aplikacionit “Telegram” një biznesmeni, duke u prezantuar si kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha.

“Jam Ermal Dredha dhe më duhen 35 mijë euro”, i shkruan ata një biznesmeni të njohur në kryeqytet, me të cilin pasi shkëmbyen disa mesazhe, kishin lënë takim në një qendër tregtare.

Florian Gjergji, që dyshohet se është organizatori i kësaj skeme mashtrimi, i kishte thënë dy nga bashkëpunëtorëve të tij të shkonin në qendër tregtarenë takim me biznesmenin dhe t’i thoshin se “kemi ardhur të marrim pakon”.

Për planin për një dorëzim të parave, ishte në dijeni edhe policia, ku sapo biznesmeni ka dorëzuar paratë ka ndërhyrë duke prangosur 3 personat në fjalë.

Sipas burimeve paraprake, biznesmeni i cili ka rënë pre e mashtrimit është pronari i një kompanie të madhe në vend, me iniciale G.Ç.

Përveç këtij rasti, ku dyshohet se është i përfshirë sërish Florian Gjergji, emri i këtij të fundit është përmendur në paktën edhe në tre operacione të tjera të policisë, ku ka pasur përpjekje për shantazh ndaj biznesmenëve të ndryshëm.

Dyshohet se Gjergji kontakton persona të tjerë për të bërë mashtrimin për llogari të tij, ndërsa vetë ai dyshohet se nuk ndodhet në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë