Ka ndodhur

Skema e përsëritur/Hiqeshin si zyrtarë dhe i kërkuan 100 mijë euro biznesmenit, në pranga babë e bir, në kërkim organizatori

Dy persona, babë e bir, u arrestuan pasi akuzohen se tentuan t’i merrnin 100 mijë euro me anë të mashtrimit një biznesmeni, përmes një skeme të organizuar kriminale.

Policia gjithashtu shpalli në kërkim organizatorin, i cili duke u prezantuar si zyrtar i lartë, në komunikimet në rrjetet sociale, iu kërkonte biznesmenëve, shuma të mëdha parash.

Gjatë operacionit u sekuestruan 70 000 euro, 2 automjete, 5 celularë, 3 karta SIM, 1 laptop, 2 USB dhe 1 tablet.

“Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit Bedri Vodha, 54 vjeç dhe Albert Vodha, 24 vjeç (babë e bir), banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Florian Gjergji, banues në Tiranë”, tha policia në një deklaratë për mediat.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit Bedri Vodha dhe Albert Vodha do të merrnin shumën 100 000 euro nga një biznesmen. Florian Gjergji ka organizuar këtë veprimtari kriminale, duke iu prezantuar biznesmenit si zyrtar i lartë dhe duke i kërkuar shumën e parave, gjatë komunikimeve në rrjetet sociale.

Pas identifikimit, babë e bir, Bedri Vodha dhe Albert Vodha, janë mbajtur në vëzhgim nga shërbimet operacionale të Policisë, deri në momentin kur janë arrestuar në flagrancë, para se të merrnin shumën e parave nga biznesmeni.

Nga veprimet e thelluara hetimore dyshohet se këta 3 shtetas janë autorë edhe të një rasti tjetër të ngjashëm, të ndodhur në muajin mars të këtij viti, në Tiranë, ku me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë, i kanë marrë një shumë të madhe parash një biznesmeni.

Policia thotë se vijon puna për kapjen e Florian Gjergji dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer në bashkëpunim me 2 shtetasit e arrestuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë