Ka ndodhur

U plagos një ditë më parë, policia arreston të riun në spital

Një 25-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, i cili pas një konflikti gjatë mbrëmjes së të hënës, mbeti i plagosur me armë zjarri.

Sipas policisë, Arbër Tivari është arrestuar në ambientet e spitalit, ku edhe po mjekohet për shkak të plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit.

I riu, banues në Durrës, ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit në banesë, policia i gjeti një armë zjarri automatik, një armë të ftohtë (thikë), kapuç në ngjyrë të zezë dhe municion luftarak.

“Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se në datë 22.03.2021, rreth orës 19:20, në lagjen nr. 4, Durrës, pas një konflikti fizik të çastit dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, shtetasi Alket Buçpapaj ka plagosur me armë zjarri në krah, shtetasin Arbër Tivari, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, - thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi Alket Buçpapa, 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë