Lajme

U mbante peng telefonat klientëve, arrestohet tregtari i kokainës në Tiranë

Në sajë të operacionit antidrogë “Hostage”, Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 41-vjeçar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar kokainë, telefona celularë dhe para të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Si rezultat i operacionit është vënë në pranga shtetasi E. J., 41 vjeç, banues në Tiranë.
41-vjeçari është kapur në flagrancë, me doza lënde narkotike kokainë, e gatshme për t’u hedhur në treg në Rrugën e Durrësit. Pas kontrollit të ushtruar më pas në banesën e të dyshuarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese me kokainë (306.6 gramë).
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 1 500 euro dhe 46 000 lekë të reja, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, si edhe 14 telefona smartfonë, që poseduesi i lëndës narkotike ia mbante si peng për lëndën narkotike personave të ndryshëm, në shkëmbim të kokainës.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë