Politike

U eliminuan nga Komisioni, Shehu: Vendos Basha! Salianji: S’jam konsumuar

gazetasi

Në fazën e parë të votimit nga baza, Tritan Shehu ja doli mbanë që të merrte mbështetjen e anëtarësisë së Partisë Demokratike të Qarkut të Gjirokastrës për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Megjithatë, Tritan Shehu është skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave, duke mos e përfshirë emrin e tij në listën emërore që do t’i dorëzohet kryetarit Lulzim Basha për miratim.

Vetë Tritan Shehu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai thotë se nuk ka asnjë rëndësi për të mospëlqimi nga Komisioni, se fjalën e fundit e thotë Basha dhe se më shumë rëndësi për të kishte votimi i bazës disa ditë më parë.

“Në përgjigje të disa pyetjeve që po më vijnë në lidhje me hamendësi mediatike për një mendim negativ ndaj meje të një “komisioni”, po rendis disa rreshta. Së pari realisht nuk dua të komentoj mendimet që mund të kenë për mua individë të ndryshëm, qoftë dhe pjesë e ndonjë “komisioni”, kjo do të më dukej e tepërt, jo e nevojshme dhe vlerësuese

“Vendimin për të kandiduar për deputet mbas votimit të anëtarësisë së PD e kanë tagër vetëm institucionet statutore të saj, Kryetari, Kryesia e Këshilli Kombëtar, askush tjetër. Vlerësimi i vërtetë për mua ishte ai votim, që bëri së fundmi anëtarësia e PD-së së Gjirokastrës, e cila ashtu siç më ka mbështetur në këto vite më mbështeti përsëri me votën e saj të qartë”, shkruan Tritan Shehu përmes një postimi në rrjetet sociale.

Mes emrave të cilëve që u është shtyrë kandidimi ishte edhe Ervin Salianji. Edhe ky ka reaguar përmes rrjeteve sociale. Ai thotë se nuk ndjehet i konsumuar në politikë dhe i kujton Bashës se ishte kandidati më i vlerësuar nga baza në Qarkun e Korçës.

"Beteja e gjatë opozitare më ka shërbyer të kuptoj se cili person dua të jem në politikë. Unë nuk kam përfituar dhe as jam konsumuar në pushtet. Kam sakrifikuar e investuar fort në betejën opozitare . Falë kësaj beteje mbështetja masive e demokratëve nuk më ka munguar në asnjë hap të rrugëtimit politik. Në zgjedhjet e fundit me mirënjohje pohoj se isha më i vlerësuari nga anëtarësia e Partisë Demokratike. Po aq me mirënjohje përmend rezultatin më të mirë që ka marrë PD në zgjedhjet e fundit parlamentare në qarkun ku garova falë mbështetjes tuaj”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë