Lajme

U dënua me burg përjetë për vrasjen e gruas, Sadedin Sula kërkon lirinë

Tre vite më parë, Suela Sula u gjet në tualetin e mobilerisë në pronësi të të shoqit Sadedin Sula. Ky i fundit u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda si nxitës (porositës) i vrasjes. Ndërsa, ekzekutori sipas prokurorisë ka qenë punëtori i mobilerisë Fatjon Kurmneshta, edhe ky i arrestuar. Por, afro një muaj pas vendimit të Shkallës së Parë për ta burgosur përjetë biznesmenin nga Shkodra, avokatët e tij kanë apeluar vendimin. Ata pretendojnë se Sula është dënuar pa prova, madje thonë se “çifti kishte martesë të lumtur”. Avokatët përmendin më tej edhe shkeljet proceduriale gjatë gjykimit, shkelje që e sipas mbrojtjes duhet të rrëzojnë dënimin e përjetshëm.

 

Fillimisht shprehen avokatët, prokuroria e dërgoi në gjyq Sadedin Sulen si ekzekutor të gruas, por në mes të procesit, prokuroria ndryshoi qëndrim duke e modifikuar akuzën nga ekzekutor ai u gjykua si nxitës në krim.

 

Tashmë si vrasës i Suela Sulës akuzohet Fatjon Kurmneshta. Të dy burrat u hetuan veç e veç dhe kjo situatë vendos në pozitë të vështirë akuzën. Ndërsa procesi për Fatjon Kurmneshten nuk ka nisur ende, në vendimin ku u dënua Sadedin Sula, ai konsiderohet si vrasësi i Suela Sulës edhe pse për këtë gjë nuk ka një vendim fajësie për të.

 

Ky moment konsiderohet nga mbrojtja si shkelje proceduriale. Në ankimim thuhet më tej se Sadedin Sula është dënuar jo me prova, por me indicie dhe se gjykata ka mbajtur qëndrim të dyfishtë për sa kohë vlerëson një audio regjistrim të viktimës dhe jo të të akuzuarit që ka sjellë gjithashtu filmime e foto, të cilat sipas tij, tregojnë një histori të lumtur bashkëshortore.

 

Por, nga përmbajtja e vendimit të shkallës së parë kuptohet se ky verdikt fajësie bazohet mbi konfliktet e çiftit disa muaj para vrasjes së gruas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë