Futboll

U dëmtua nga arbitri, Dortmund në ankth për Haaland

Janë orë pritje dhe nervozizmi te Borussia Dortmund. Verdhezinjtë kanë dalë nga derbi me Bayern Mynih me kocka të thyera, jo vetëm për 0-1 që i zbriti në -7 nga bavarezët kryesues, por edhe për dëmtimin e Erling Braut Haaland, i cili la fushën në minutën e 27′ të pjesës së dytë i dëmtuar nga një përplasje e pazakontë me arbitrin Tobias Stieler. Për sulmuesin norvegjez është folur menjëherë për një dëmtim të ligamenteve të gjurit, por ekzaminimet e detajuara do të vlerësojnë shkallën e dëmtimit dhe të përcaktojnë kohët e rikuperimit.

Tekniku Lucien Favre menjëherë bëri të ditur se “nuk duhet të jetë asgjë e rëndë”, duke nënvizuar në të njëjtën kohë se problemi fizik është ekskluzivisht i tipit “traumatik” dhe se nuk ka të bëjë fare me rifillimin e aktivitetit pas një ndalese të gjatë. Në kampin e Dortmund mbeten gjithsesi në ankth, duke menduar për një kampionat që, pavarësisht shuplakës së marrë nga rivalët, është akoma i gjithi për tu luajtur. E njëjta situatë është edhe për vetë Haaland, që në moshën 19 vjeçare dhe me vetëm 11 ndeshje të luajtura në Bundesliga është në garë për Këpucën e Artë: për momentin ndodhet në vendin e katërt me 44 pikë, 10 gola më pak se dyshja Immobile-Lewandowski.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë