Drejtësia

U arrestua për korrupsion, KLP pezullon nga detyra prokurorin e Sarandës

Prokurori i Sarandës, Sali Hasa, është pezulluar nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me votë unanime. Ndaj Hasës, është dhënë masa e sigurisë “arrest në burg” pak ditë më parë i akuzuar për korrupsion.

Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur ky pezullim. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendosi të lërë në burg të hënën prokurorin e Sarandës Sali Hasa, oficerin e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Napolon Hodaj, arbitrin e ndeshjeve të futbollit Qerim Ruçi si dhe dy "sekserët" Julian Zera dhe Emiljano Mirani. Ndërkohë në arrest shtëpie u la vetëm zyrtari i klubit sportiv “Përmeti”, Bledar Hajredini.

Ata akuzohen se kanë pushuar çështjen ndaj një të arrestuari për plagosje, ndërkohë që i njëjti hetim ka dërguar në pranga edhe një arbitër sportiv dhe zyrtarin e klubit të futbollit të Përmetit të akuzuar për trukime ndeshjesh.

I gjithë hetimi ka nisur në vitin 2020, pas përgjimeve të dala nga një tjetër dosje që ishte në hetim në atë kohë ndaj një grupi dyshuar për trafik droge dhe korrupsion tek zyrtarët e drejtësisë.

Bëhet fjalë pikërisht për dosjen ndaj gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha, ndërsa përgjimet e kryera nxorën në pah fakte lidhur me prokurorin e Sarandës  Sali Hasa, dhe oficerin e kësaj prokurorie Napolon Hodaj.

Provat që disponon SPAK për të gjithë të akuzuarit, janë disa përgjime, pamje filmike dhe vëzhgime në terren.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë