Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Shqipëri per pesë vite, Genoveva Ruiz Calavera, e cila është emëruar nga Komisioni Europian me detyrë të re, si Drejtore e Përgjithshme e Departamentit të Interpretimit ose SCIC, përmes një letre të fundit në këtë detyre ka bërë një përmbledhje të bilancit të punës së saj.
“ ...Mes reformave kyçe, nuk mund të mos theksoj sa e rëndësishme është reforma në gjyqësor për konsolidimin e shtetit ligjor - jetike për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe një kërkesë themelore e pranimit në BE.
Në kontekstin e kësaj reforme të paprecedentë, procesi i vetingut vazhdoi të jepte rezultate me më shumë se 330 magjistratë të verifikuar në shkallën e parë, nga të cilët më shumë se 60% u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen.
Është gjithashtu shumë pozitive që të gjitha organet e reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit u ngritën dhe kanë rezultuar me hetime të nivelit të lartë, duke krijuar një dinamikë të re në përpjekjet e Shqipërisë për të trajtuar krimin dhe korrupsionin”, shkruan ajo.
Cavalera përmend rifillimin e punës nga Gjykata Kushtetuese dhe nënvizon nevojën që emërimet në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë.
Cavalera nënvizon në letrën e saj ka ende shumë punë përpara dhe se mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe autoritetet e tjera të Shqipërisë bie një përgjegjësi e veçantë për të mos humbur kohë.
Shefja e ONM nuk iu shmang as disa akuzave adresuar asaj dhe stafit te ONM nga eksponentë të PD dhe LSI-së, kryesisht nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi
“Më vjen keq që gjatë muajve të fundit, institucionet e vetingut, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe stafi i tij kanë qenë shënjestër e një trysnie të paprecedentë dhe të padrejtë, keqinformimit dhe sulmeve e shpifjeve personale.
Kjo po u shkakton shumë dhimbje dhe vuajtje personale atyre që janë më se të përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë.
Këto sulme synojnë ta shmangin reformën dhe të dëmtojnë zbatimin e saj të mëtejshëm.
Por në vend që ta dobësojnë vendosmërinë tonë, ato na japin një shtysë të përtërirë, pasi ato vërtetojnë se reforma funksionon dhe se rezultatet e saj kanë nisur të prekin interesat personale dhe individët që kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga një status quo thellësisht e korruptuar”, shkruan ajo, duke i mbetur mesazhit se ka vetëm një rrugë; ecjen përpara për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.