Bota

Tymi nga zjarret e Kanadasë arrin në Europë

Tymi nga qindra zjarre në Kanada, i cili tashmë ka mbuluar pjesë të SHBA-së dhe ka vendosur rreth 75 milionë njerëz në rrezik për shkak të ndotjes së ajrit, ka arritur deri në Norvegji.

Gjatë ditëve të fundit, tymi ka lëvizur nga Kanadaja nëpër Grenlandë, Islandë dhe tashmë ndjehet edhe në Norvegji.

Shkencëtarët në Institutin e Kërkimeve Klimatike dhe Mjedisore në Norvegji (NILU) kanë mundur të zbulojnë praninë e tymit duke thënë se është në një masë të vogël por që ndjehet. Gjithsesi, ndryshe nga Amerika, ato nuk janë në rrezik nga ana shëndetësore.

Gjatë ditëve në vijim, tymi pritet të përhapet në të gjithë Europën, por njerëzit mund të mos e nuhasin dhe vërejnë tymit.

Nuk është e pazakontë që tymi i zjarrit ‘të udhëtojë’ në distanca të gjata.

“Tymi nga zjarret si ato në Kanada qëndron në atmosferë më gjatë dhe është në gjendje “të udhëtojë” në distanca të largëta”, thonë shkencëtarët.

Ndërsa kriza klimatike intensifikohet, pritet që të kemi një stinë të mbushur me zjarre, veçanërisht pasi thatësirat dhe nxehtësia bëhen më të zakonshme dhe më të rënda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë