Politike

Tym e flakë! Drenica i bllokon rrugën, Vuçiç kthehet pas

Në zemrën e rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kalimi i karvanit të makinave që shoqëronin Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, nuk mund të ishte i qetë.

Që në orët e hershme të paradites së të dielës, veteranë të UÇK-së dhe banorë të Drenicës bllokuan rrugën që lidh Skënderajn me fshatin Banjë, i banuar nga serbët dhe pjesë e agjendës së ndalesave të Presidentit serb në turin e tij të vizitave në Kosovë.

Organizatorët thanë se Presidenti serb nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Në rrugë u vendos një kamion dhe turra drunjsh, të cilëve iu vu flaka në momentin që pritej të afrohej autokolona e Presidentit serb, e parashikuar që të mbërrinte në fshatin Banjë rreth orës 10:00. Përpjekjet e Policisë së Kosovës për të zhbllokuar rrugët dështuan dhe ajo njoftoi për mediat se ja kishte ndaluar Vuçiçit ndalesën në Banjë.

Policia e Kosovës i komunikon Presidentit serb se nuk mund të vazhdojë rrugën me tutje për arsye sigurie

Thuajse njëkohësisht me këtë njoftim të Policisë së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj njoftonte përmes rrjeteve sociale anulimin e lejes së dhënë të vizitës në këtë fshat për çështje sigurie.

“Për mua, siguria e qytetarëve është e para, ndaj urdhërova Ministrinë e Punëve të Jashtme që të anulojë vizitën e Vuçiçit në fshatin Banjë”, shkruan ai.

Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhjekur lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.RH

Gepostet von Ramush Haradinaj am Sonntag, 9. September 2018

Vetë Vuçiç i bllokuar në rrugë, fillimisht nuk foli me siguri nëse do të shkonte në fshatin Banjë apo jo.

“Do të përpiqem që të shkoj në atë fshat”, tha ai për gazetarët serbë, duke i porositur që të mos e ndiqnin nga pas për çështje sigurie. Si organizator të protestës që i prishi qetësinë e vizitës në Kosovës fajëson kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Më vonë u tërhoq përfundimisht nga ndalesa në këtë fshat. Rrugën e vazhdoi për në Mitrovicën Veriore, ku mediat serbe raportojnë se ka patur një bisedë telefonike me banorët e fshatit Banjë.

“Më vjen keq që nuk erdha dot. Autoritetet nuk më lejuan që të vija. Nuk dua që të bëhem shkak dhe të minoj sigurinë tuaj dhe të tjerëve këtu. Ju do të keni mbështetjen e Serbisë”, citohet ai nga mediat serbe.

Pas vendimit përfundimtar për të anuluar vizitën në këtë pjesë të Kosovës, reagoi edhe Presidenti Hashim Thaçi. Thotë se në lojë nuk ishte vetëm siguria e qytetarëve atje, por edhe e vetë homologut të tij serb, Vuçiç.

Thaçi thotë gjithashtu se mirëkupton protestën e banorëve të Drenicës, që tregon sipas tij, që plagët e luftës janë ende të freskëta. Megjithatë, ai shton se bllokimi i rrugëve nuk është zgjidhja. “Ne duhet të dalim mbi vetveten dhe të punojmë për paqen dhe pajtimin”, shkruan ndër të tjera Presidenti i Kosovës, përmes një postimi në Facebook.

Qeveria e Republikës së Kosovës, ditë më parë kishte miratuar kërkesën për vizitën e Presidentit të Serbisë në Kosovë,…

Gepostet von Hashim Thaçi am Sonntag, 9. September 2018

Postimi i Presidentit Thaçi nuk është pritur mirë nga një pjesë e madhe e ndjekësve të tij në këtë rrjet social, të cilët me komente të shumta i kanë rikujtuar atij krimet e forcave serbe në Kosovë.

Protesta ishte thirrur nga veteranët e UÇK-së dhe qytetarët e Drenicës dhe në qetësimin e situatës nuk ndihmoi mesazhi i përcjelljë nga Presidenti serb një ditë më parë.

Gjatë ndalesës në Liqenin e Ujmanit, Vuçiç tha se kjo vepër është ndërtuar me paratë e qytetarëve serbë dhe do të shfrytëzohet nga qytetarët serbë. Ai foli për lëshime të mëdha që u ka bërë shqiptarëve në këtë pjesë, në përpjekje për kompromis.

Edhe gjuha e përdorur në ndalesat e tjera të Vuçiçit, ngjasonte si mesazh i Presidentit të vendit dhe jo një mesazh i përcjellë nga Presidenti i një vendi tjetër në territorin e një shteti fqinj.

Në këtë vizitë, Vuçiç shoqërohet nga ministri i Shëndetësisë, shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë si dhe kreu i shërbimeve inteligjente serbe.

Vizita nisi një ditë pas refuzimit që Presidenti serb i bëri takimit të parashikuar me Hashim Thaçin në Bruksel. Më 7 shtator dy Presidentët pritej të shtrëngonin duart dhe në tryezë pritej të diskutohej edhe çështja e kufijve.

Por, as e para dhe as e dyta nuk ndodhi. Ajo çfarë ndodhi ishte një rikthim në pikën zero të dialogut dhe serbët fajësojnë për këtë Prishtinën, për gjoja gjuhë të papërshtatshme dhe kërcënuese.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë