Politike

Tushaj në “prag” pensioni, kleçka ku mund të kapet PS për kreun e KLSH

Takimi i zhvilluar dje në Presidencë mes kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe presidentit Ilir Meta duket se e ka “shtensionuar” situatën konfliktuale ndërmjet mazhorancës dhe kreut të shtetit. Fakti që Presidenti doli dhe e përcolli Ruçin nga ky takim, i buzëqeshur, duke mos bërë të njëjtin veprim pas takimit të një dite më parë me Ramën, tregon se mes tyre diçka ishte arritur dhe mbi të gjitha u përcoll si një mesazh i rëndësishëm për mazhorancën socialiste, e cila një vit më parë e zgjodhi me votat të saj në krye të këtij institucioni.

Gramoz Ruçi duke dalë pas takimit në Presidencë, përcillet nga presidenti Meta

Dhe menjëherë pas këtij takimi filluan lëvizjet e para nga Presidenca, e cila nisi të shpallte vendimet nëpërmjet dekreteve. Së pari dekretoi datën e zgjedhjeve, 30 qershorin, duke plotësuar edhe dëshirën e socialistëve. Më pas nxori dekretin për t’i propozuar Kuvendit të Shqipërisë,  anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha si kryetare të Kontrollit të Lartë Shtetit.

Kur dukej se tensioni vijonte në nivelin më të lartë mes dy institucioneve kryesore në vend, presidenti Meta, sot, dy orë para nisjes së seancës parlamentare, njoftoi për nxjerrjen e dekretit për emërimin e Helidon Bendos si Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Një vendim i marrë vetëm pas një viti, pasi propozimi i kryeministrit Edi Rama kishte kohë që ishte “fshehur” në sirtaret e Presidencës. Dekreti ishte firmosur dje, por Meta preferoi ta publikonte sot, përpara se të niste vizitën e tij drejt Italisë dhe pikërisht para se Parlamenti të votonte për shkarkimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm, e para se kryeministri Rama të fliste për  këtë konflikt me Presidentin.

Tushaj, prova e radhës së "luftës" President-mazhorancë

Kur Lleshi tashmë është një ministër i Brendshëm i komanduar,  “lufta” mes Presidentit dhe Qeverisë dhe mazhorancës socialiste do të fokusohet te dekreti i Metës për emërimin e Vitore Tushës në postin e kreut të KLSH-së.

Dekreti i Presidentit për t'i propozuar Kuvendit  emrin e Vitore Tushës si kryetare të KLSH-së

Dekreti i Presidentit mësohet se akoma nuk është dërguar zyrtarisht në Parlament. Gjithashtu mazhoranca nuk ka një vendim final për këtë propozim të paraqitura nga ana e Metës, ku me propozimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, duket se nuk është mbështetur te të gjitha kriteret ligjore, pasi Presidenti nuk ka marrë në konsideratë faktin që e propozuara për këtë post mbush moshën e pensionit pas tre vitesh.

Mandati i kreut të KLSH-së, sipas Kushtetutës është 7-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje. Sipas nenit 20 të ligjit “Për organizimin e funksionimin e KLSH”, “Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet të zgjidhet shtetasi shqiptar, që plotëson kushtet e mëposhtme: a) ka arsim të lartë në ekonomi, financë ose drejtësi; b) përvojë profesionale në çështje financiare; c) ka kualifikime të larta profesionale dhe përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet;  ç) gëzon integritet të lartë moral dhe profesional; d) nuk është dënuar më parë për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë”.

Por në nenet e tjera theksohet se mandati i kryetarit të KLSH-së mund të ndërpritet për disa shkaqe.

“Mandati i Kryetarit të KLSH-së mbaron kur: a) mbaron afati shtatëvjeçar i qëndrimit në detyrë; b) dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi;  c) nuk paraqitet në detyrë për shkaqe të paarsyeshme; ç) jep dorëheqjen; d) deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë; dh) mbush moshën e pensionit; e) vdes”, thuhet në nenin 23 të ligjit.

Gërma “dh” e ligjit mund të penalizojë të propozuarën e Metës në krye të KLSH-së, pasi Tushaj mbas tre vitesh mbush moshën e pensionit.

Pikërisht ky mund të jetë argumenti që mazhoranca mund ta përdorë në rast se do të vendosë që të rrëzojë dekretin e Presidentit për kreun e KLSH-së, duke i kërkuar që të propozojë një kandidaturë tjetër. Gjithsesi dekreti pritet të jetë edhe pjesë e ndonjë kompromisi politik të radhës mes mazhorancës dhe Presidentit.

Meta mund të tërhiqet nga ideja e mos dekretimit të Sandër Lleshit si ministër, duke “detyruar” kryeministrin që ta riparaqesë sërish propozimin dhe Kuvendi ta miratojë propozimin që Tushaj në krye të KLSH-së.

Ky mund të ishte kompromisi, nëse një gjë e tillë mund të jetë arritur më parë duke përfshirë edhe dekretimin e Bendos në krye të SHISH.

Ndërkaq mazhorancës i duhet të pranojë që kreu i ri i KLSH-së  të ketë një mandat de facto trevjeçar për shkak të moshës së pensionit, e që pas tre vjetësh, kreu i këtij institucioni të zgjidhet nga mazhoranca e re që do të dalë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2021, por me President sërish Ilir Metën, si propozues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë