Ne rrjet

Turqia hap kufijtë: Mijëra refugjatë dynden drejt Ballkanit

Greqia po zbaton masa maksimale të sigurisë në kufijtë e saj të dielën, ndërsa qindra emigrantëve që vijnë nga Turqia kanë hyrë në vend nga pika të ndryshme e me mijëra të tjerë po kërkojnë të hyjnë.

Policia greke njoftoi se të paktën 500 persona kishin mbërritur të dielën në mëngjes me rrugë detare në tre ishuj grekë të cilët ndodhen pranë Turqisë. Më tej në veri të vendit, migrantët u përpoqën të hyjnë nëpërmjet një lumi në pjesën greke në Kastanies. Gazetarët e “Reuters” thanë se kishin parë një grup me rreth 30 vetë, mes tyre një nënë afgane me një foshnjë vetëm pesë-ditëshe, në anë të një rruge, pasi kishin kaluar lumin disa orë më parë.

Turqia tha të enjten se nuk do t'i ndalë më, qindra mijëra azilkërkues që ndodhen në territorin e saj duke i lënë ata të lirë t'i drejtohen Evropës pavarësisht një marrëveshje mbi këtë çështje me BE-në në vitin 2016.

Turqia e mori këtë vendim pas një sulmi ajror si pasojë e të cilit u vranë 33 ushtarë turq në veri-perëndim të Sirisë, atje ku Ankaraja ka vendosur forca për të ndihmuar në sigurimin e kufirit të saj kundër prurje të reja me refugjatëve që tentojnë t’i shpëtojnë luftës civile në Siri. Turqia ka thënë gjithashtu se fondet e premtuara nga BE-ja për ta ndihmuar atë që të trajtojë 3.7 milionë refugjatët sirianë që ndodhen tashmë në vend po vonojnë të vijnë.

Kjo situatë paraqet provën më të fortë për Greqinë që prej krizës financiare që preku vendin në vitit 2015. Të dielën vonë Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis do të kryesojë një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Vendimi i Ankarasë për hapjen e kufijve vjen pas një sulm vdekjeprurës ndaj trupave turke nga forcat e qeverisë siriane dhe ato ruse në veri të Sirisë. Të paktën 33 ushtarë turq u vranë në një bombardim në Idlib, provinca e fundit Siriane ku grupet rebele siriane mbajnë territor të konsiderueshëm. Forcat e qeverisë siriane, të mbështetur nga Rusia, janë përpjekur të marrin Idlib-in nga grupet xhihadiste dhe fraksionet rebele të mbështetur nga Turqia.

Incidenti ngjalli frikë për një përshkallëzim të madh ushtarak që përfshin Turqinë dhe aleatin ushtarak të Sirisë, Rusinë.

Qindra refugjatë nisen nga Turqia drejt BE-së, Gazeta Si, 2020

Të shtyra edhe nga frika e koronavirusit, Greqia dhe Bullgaria, që kufizohen me Turqinë kanë dërguar përforcime për të parandaluar hyrjen e emigrantëve. Policia greke ka ndaluar dhjetëra refugjatë të kapërcejnë kufirin duke përdorur gaz lotsjellës.

Greqia ka forcuar në maksimum kufijt, duke i cuar kontrollet në nivelin më të lartë të mundshëm dhe duke kthyer me forcë cdo emigrantë që tenton të hyjë. Ky është hapi i fundit përpara mbylljes totale të kufijve.

Situata ringjalli kujtimet e krizës së emigrantëve në vitin 2016, kur më shumë se një milion njerëz, udhëtuan përmes Turqisë, Greqisë dhe Ballkanit drejt Evropës Perëndimore.

Qindra refugjatë nisen nga Turqia drejt BE-së, Gazeta Si, 2020

Greqia dhe Shqipëria janë dy vendkalimet kryesore të refugjatëve nga vendet e Lindjes. Por rruga Ballkanike që përdorej nga refugjatët për të arritur në Europën Perëndimore nga Turqia dhe Greqia, ka ndryshuar.

Më parë, kjo rrugë kalonte nga Bullgaria në Maqedoni, Serbi dhe Hungari, për të shkuar me pas drejt Gjermanisë ose Austrisë. Megjithatë, Hungaria ka arritur të mbyllë kufijtë nëpërmjet mbikëqyrjes dhe brutalitetit të policisë kundër emigrantëve. Tanimë rruga është zhvendosur në drejtim të jugut, duke kaluar nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Bosnja, ku duket se janë mbledhur mijëra emigrantë.

Për herë të parë në Shqipëri ka mbërritur një grup i policisë kufitare europiane, Frontex, i cili po patrullon tanimë kufijte me Greqinë, në mënyrë që të parandalojë emigracionin e paligjshëm, por edhe të evidentojë rastet e trafikut të qënieve njërëzore. Tirana është shtëpia e qendrës së vetme të azilkërkuesve. Nëse emigrantët në Shqipëri nuk kanë status ligjor, ata nuk mund të udhëtojnë as me autobus as me taksi.

Qindra refugjatë nisen nga Turqia drejt BE-së, Gazeta Si, 2020

Nëse policia zbulon emigrantë në zonën kufitare, i dërgon mbrpash në kufirin grek, por nëse i gjen brenda territorit kombëtar, i dërgon në qendrën e azilkërkursve në rrethinat e Tiranës. Gjendja shëndetësore e emigrantëve shpesh është problematike pasi një pjesë e tyre janë bartës të disa sëmundjeve, përfshirë edhe koronavirusin.

Turqia pret 3.7 milion refugjatë sirianë si dhe emigrantë nga vende të tjera si Afganistan dhe i ka ndaluar deri më tani të hynin në Europë falë një marrëveshje të lidhur me ndihmën me BE.

Televizionet turke treguan grupe emigrantësh që po shkonin në këmbë drejt kufirit me Greqinë pranë qytetit turk të Edirnes, dhe më tej hynin në anije për të kaluar në Lesbos.

Qindra refugjatë nisen nga Turqia drejt BE-së, Gazeta Si, 2020

Kryeministri bullgar Boyko Borissov njoftoi se Bullgaria ka dërguar forcat e xhandarmërisë në kufirin e saj me Turqinë.   Ajo ka një kufi tokësor më shumë se 300 km me Turqinë dhe nuk ka përjetuar presion nga emigrantët që kërkojnë të hyjnë vitet e fundit.

"Ne kemi informacione rreth qindra emigrantëve që po mblidhen në Edirne," tha Borissov, duke iu referuar qytetit turk që ndodhet 10 km larg kufirit Grek dhe 30 km larg kufirit Bullgar. Ai shtoi se xhandarmëria është urdhëruar të "forcojë kufirin në maksimum".

Borissov tha gjithashtu se ishte "shqetësuese" që rojet kufitare turke ishin tërhequr.

"Le të shpresojmë se ata janë tërhequr në brendësi të vendit me qëllim ndalimin e emigrantëve," tha ai.

Qindra refugjatë nisen nga Turqia drejt BE-së, Gazeta Si, 2020

Borissov përmendi tensionet në ishujt Grekë ku emigrantët janë hedhur në protestë sepse qeveria greke planifikon të mbyllë objektet.

"Ekziston një kërcënim i vërtetë nga ajo që po ndodh atje, në një kohë kur ne kemi zbatuar procedura të tilla të rrepta për hyrjet dhe daljet në vend për shkak të koronavirusit. Imagjinoni nëse qindra mijëra emigrantë fillojnë të hyjnë në vend, "tha ai.

“Bullgaria është e gatshme të vendosë deri në 1.000 trupa dhe pajisje ushtarake në kufirin me Turqinë për të parandaluar prurjet e paligjshme të emigrantëve”, shtoi kryeministri./ VOA, Reuters, AFP


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë