Treg

Turizmi shqiptar mund të përfitojë nga italianët e mbetur pa pasaporta

Nga Megi Iskurti - Në muajt e fundit, sezoni turistik për bizneset turistike italiane ka ngecur pezull për shkak të ‘kaosit famëkeq të pasaportave’.

Agjencitë turistike italiane kanë humbur deri tani 150 milionë euro dhe kanë anuluar rreth 80 mijë udhëtime që kishin për destinacion vende të ndryshme të botës.

Radhët e gjata për pritjen e pasaportave, deri në gjashtë muaj, kanë nisur në fakt që në fund të vitit të shkuar dhe italianët janë të alarmuar për pushimet e tyre të verës.

Por, nga këtej kufirit, panorama ravijëzohet optimiste për Shqipërinë ku efekti pritet të jetë i kundërt.

Për të hyrë në territorin shqiptar, turistët italianë nuk kanë nevojë për një pasaportë. Gjithë çfarë u duhet është një kartë identiteti.

“Në Shqipëri turistët italianë mund të hyjnë edhe me carta di soggiorno, pra jo domosdoshmërisht duhet një pasaportë. Ndryshe nga vendet e tjera të botës që frekuentohen nga turistët italianë të cilët do të vuajnë nga anulimi i rezervimeve, Shqipëria mund të përfitojë.  

Është një shans i mirë për më shumë prurje turistike nga shteti fqinj”, thotë për Gazetasi.al Besnik Vathi, Kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve.

Vathi thotë se Shqipëria mund të përfitojë nga kjo situatë

Të njëjtat pritshmëri kanë edhe agjencitë turistike sipas të cilave efektet janë vënë re që në muajin maj me hyrjen e një numri të konsiderueshëm turistësh italianë.

Sipas tyre, zgjedhjen për Shqipërinë nuk e kanë bërë vetëm mbi faktorin e fleksibilitetit në lëvizje, por edhe për shkak të plazheve që riviera shqiptare ofron, afërsisë kulturore dhe gjeografike dhe njohjen e gjerë të gjuhës.

Të dhënat nga INSTAT e mbështesin këtë fakt.

Në publikimin e netëve të qëndrimit, sipas shtetësisë, rezulton se turistët italianë janë ata që kanë pushime më “të gjata” në Shqipëri.

Kështu, mesatarisht italianët kanë 6.8 ditë qëndrimi dhe 64 për qind e shtetasve që kanë hyrë në territorin shqiptar kanë cituar si arsye pushimet. INSTAT gjithashtu raporton se ata kanë edhe shpenzimet më të larta ditore me 81 euro për person.

Sipas raportimit të publikuar sot, 20 qershor, nga Insituti i Statistikave mbi strukturat akomoduese, rezulton se në muajin prill 9.2% e turistëve nga rreth 57% në total që kanë vizituar Shqipërinë, ishin italianë.

Megjithatë, nga Shoqata e Tur-Operatorëve thonë për Gazetasi.al se efekti kryesor do të ndihet gjatë pikut të sezonit turistik duke qenë se deri tani, moti nuk ka qenë aq favorizues për pushime.

Gjeografia e qyteteve kryesore italiane të cilat po vuajnë burokracitë me marrjen e pasaportave, përkojnë edhe me qytetet nga ku kemi prurjet më të larta të turistëve. Përkatësisht Bari, Genova, Milano, Torino, Bologna dhe Bolzano.

Shkaqet që kanë sjellë në këtë situatë janë të shumta referuar mediave italiane. Një nga faktorët kryesorë është rritja e kërkesës për pasaporta pas rikuperimit gradual të udhëtimeve pas COVID-19. 

Gjatë dy viteve të izolimit pothuajse askush nuk ka rinovuar pasaportën dhe për rrjedhojë shumë të tilla kanë skaduar.

Krahas problemeve organizative dhe mungesës së personelit brenda zyrave përgjegjëse për lëshimin e tyre, një arsye tjetër themelore mbetet edhe detyrimi për të pasur pasaportë për të udhëtuar në një nga destinacionet më të njohura europiane, që në të kaluarën mund të arrihej vetëm me kartë identiteti: Mbretëria e Bashkuar e cila pas Brexit vendosi masa që kufizuan aksesin.

Në muajt e fundit, shteti italian duket se ka bërë disa përpjekje për të gjetur një zgjidhje, por megjithatë ngërçi është ende i madh.

Mes pritjeve disa mujore dhe në një kohë kur vera është aq pranë, Shqipëria duket se do të jetë “bileta e tyre e vajtjes”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë