Lajme

Turizmi, më shumë ikën se sa erdhën në Shqipëri

Në Shqipëri vijnë turistë më tepër nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Ky është konstatimi i INSTAT me statistikat e ofruara për lëvizjet e regjistruara në këtë 7-mujor. Sipas këtyre shifrave Shqipëria u vizitua nga nga 3.3 milionë turistë të huaj.

“Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë përgjatë shtatë muajve të parë të 2019 është 3.313.762, duke u rritur me 12,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në Korrik 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 25,5 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 14,6 %”, thuhet në sondazhin e INSTAT.

INSTAT, shifrat e lëvizjeve për 7-mujorin e 2019-ës dhe të 2018-ës


Sa u përket shifrave të muajit korrik të këtij viti, INSTAT raportin se janë 1.724.374 që kanë hyrë në Shqipëri. Krahasuar me korrikun 2018, ky tregues rezulton me rritje 11,4 %. Në korrik 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 1.176.810. Krahasuar me korrikun 2018, ky numër është rritur me 14,5 %.

INSTAT, statistikat e lëvizjes së shtetasve të huaj


Sipas INSTAT, në vendin e parë qëndrojnë kosovarët. Në 7 muajt e parë të vitit, vendi ynë u vizitua nga 1 milionë e 57 mijë kosovarë me një rritje prej 13.7 për qind krahasuar me 7-mujorin e vitit të kaluar. Pas shqiptarëve të Kosovës, në vendin e dytë renditen shtetasit nga Maqedonia e Veriut. Për janar-korrik të këtij viti, rezultojnë mbi 372 mijë turistë nga Maqedonia e Veriut që kanë vizituar Shqipërinë me një rritje prej 3.4 për qind vit me vit. Më pas në listë vijnë grekët, malazezët, anglezët dhe italianët, hyrjet e të cilëve për këtë vit variojnë nga 159 mijë deri në 311 mijë pushues.

INSTAT, qëllimet e hyrjes në Shqipëri


Sipas këtyre të dhënave rezulton se fluksin më të madh nga kanë hyrë vizitorë, e kanë ato shtete ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i emigrantëve shqiptarë. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e turistëve që raportohen si të huaj janë shtetas shqiptarë, të pajisur me dokumentet e vendeve ku kanë emigruar.
Interesante janë edhe ato shifra që jep INSTAT sa i përket numrit të shqiptarëve që preferuan t’i kalojnë pushimet jashtë Shqipërisë. Në total kjo shifër është më e lartë se turistëve që kanë preferuar të pushojnë në vendin tonë.
“Numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i vendit tonë përgjatë shtatë muajve të parë të 2019, është 3.172.613 duke u rritur 10,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në raportin e INSTAT.

INSTAT, mënyra e udhëtimit


Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Korrik 2019, janë 1.463.133 duke shënuar një rritje me 1,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik 2019, janë 516.173. Krahasuar me Korrik 2018, ky numër është rritur 10,9 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2019, janë 946.960. Krahasuar me korrikun 2018, ky numër është ulur 2,4 %.
Shqipëria përgjatë vitit 2019 u shoqërua me një krizë të thellë politike, e cila kulmoi me mbajtjen e zgjedhjeve të njëanshme të zgjedhjeve lokale. Opozita e udhëhequr nga PD-ja dhe aleatët e saj nuk morën pjesë në zgjedhje. Protestat që shoqëruan 6 muajt e vitit nga opozita, pati krijuar shqetësimin e rënies së numrit të turistëve, por një gjë e tillë duket se nuk ka ndikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë