Treg

Turizmi, i sëmuri i madh që ende pret ilaçin e qeverisë

Sabina Veizaj - Marjeni nga Explorer Travel & Tours thotë që pjesa më e madhe “ashtu si ne e ka mbyllur aktivitetin pavarësisht se qeveria nuk ka nxjerrë një vendim të tillë edhe për bizneset në sektorin e turizmit, përderisa nuk ka punë dhe asnjë arkëtim”.

Ai ka katër punonjës në staf dhe thotë që për muajin mars do ti paguajë ata me rrogë minimale, kurse nga prilli e mandej “nëse qeveria nuk i përfshin në paketën e dytë, do t'i heqë nga listpagesat”.

Marjeni artikulon qartë se “Jemi me  sytë nga qeveria, ndryshe nuk ia dalim dot”!

Sipërmarrësit e sektorit janë shprehur qartë se nuk iu leverdisë të marrin kredi për të paguar punonjësit që qëndrojnë në shtëpi e teksa nuk dihet se si do të përfundojë situata.

Shtoji kësaj, thonë ata “që turizmi është specifik dhe nuk rimëkëmbet dot me ritmin e bizneseve të tjera”.

“Nëse flet me investitorë në sektorin e turizmit, përtej natyrës pesimiste që na karakterizon ne shqiptarët, ata afirmojnë anulim total të prenotimeve. Kështu që rënia e sektorit do të jetë ndoshta më tepër se 20-30% në Shqipëri. Qeveria premton shumë në medie dhe rrjetet sociale, por kur duhet të kalojë te konkretja? Edhe shqiptarët si shumë qytetarë të tjerë të botës kanë anuluar pushimet jashtë Shqipërisë e me shumë gjasa do të rritet numri i atyre që do kalojnë pushimet në mëmëdhe dhe jo në vendet e tjera. Përtej kësaj problem ngelen kursimet këtë vit që pa rroga dhe/ose me rroga të përgjysmuara ngelen pak lek për të shpenzuar për pushime. Pa llogaritur që ditët pushim do jenë të limituara”- thotë Klodian Muco, ekspert në fushën e ekonomisë.

Sektori i turizmit rezulton më i prekuri nga Covid-19 në të gjithë botën, po ashtu edhe në Shqipëri.

Këtë e kanë konfirmuar që nga S&P, BERZH, Organziata Botërore e Turizmit dhe shumë qeveri me radhë.

S&P disa ditë më parë do të deklaronte se Ballkani Perëndimor do të jetë i dyti rajon në botë që do të vuajë rëndë pasojat e Covid-19 në sektorin e turizmit. Shqipëria sipas S&P do të kishte humbje nga sektori i turizmit në raport me PBB respektivisht 1,46 %, 2,52% dhe 3,58 % sipas tre skenarëve nga më i buti deri tek më i rëndi.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) tek ka kryer një monitorim për të vlerësuar aftësinë, ose ndryshe sesi ekonomitë në zhvillim në rajonet ku vepron përballojnë ndikimin e pandemisë Covid 19, një nga faktorët kryesorë sheh varësinë nga turizmi, që në këtë situatë është në disfavor.

Kurse Organizata Botërore e Turizmit vlerëson se sektori po humb çdo ditë 1 mln vende pune në nivel global.

“Jemi duke u përballur me një emergjencë globale të paparë të shëndetit që po ndikon dhe do të ndikojë në ekonomitë tona, shoqëritë tona dhe jetesën tonë dhe ka rreziqe në rritje të një recesioni global dhe një humbje masive të vendeve të punës. Duke marrë parasysh natyrën e pashembullt dhe me zhvillim të shpejtë të krizës, është jashtëzakonisht sfiduese të vlerësohet ndikimi i COVID-19 në turizmin ndërkombëtar.”- citon Organziata Botërore e Turizmit.

Bazuar në zhvillimet më të fundit (masa karantine, ndalime të udhëtimit dhe mbyllje kufijsh në pjesën më të madhe të Evropës, që përfaqëson 50% të turizmit ndërkombëtar, dhe në shumë vende të Amerikës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme), evolucionet në Azi dhe Paqësori dhe modelet e krizave të mëparshme (SARS 2003 dhe kriza globale ekonomike 2009), Organziata vlerëson se prurjet ndërkombëtare të turistëve mund të bien me 20% - 30% në vitin 2020.

Kjo do të përkthehej në një humbje prej 300 deri 450 miliardë dollarë amerikanë në faturat (eksportet) e turizmit ndërkombëtar - gati një e treta e 1.5 trilion dollarëve amerikanë të gjeneruar globalisht në rastin e skenarit më të keq.

NDIKIMI GLOBAL I VLERSUAR

- 290 deri 440 milion Prurje Ndërkombëtare të Turizmit

5 deri në 7 vjet humbje në numrin e turistëve

- 300 deri 450 dollarë amerikanë eksportet e turizmit (faturat, humbje)

1/3 e 1.5 trilion dollarëve amerikanë të humbur në Eksportet e Turizmit

Ajo që ne nuk dimë – thotë organizata është se kur do të jetë fundi i kësaj krize.

Pas krizës globale ekonomike, punësimi në të gjithë sektorët u rrit me 11% mes 2010 dhe 2018  ndërsa punësimi në turizëm, në sektorët  akomodim dhe shërbime ushqimore u rrit me 35%.

Ashtu si Organziata Ndërkomëbëtare e Turizmit, edhe sipërmarrësit e ekspertët e këtij sektori në Shqipëri kanë më shumë se një muaj që thërrasin për ndihmë urgjente financiare të sektorit, sepse “më dhjamin e tonë nuk mund të rrezikojmë. Ka ardhur koha të mendojmë për vete dhe familjet tona, jo për ti zgjidhur gjërat bashkërisht”.

Ish deputeti demokrat Agron Shehaj shkruan në llogarinë e tij në Facebook se “Çdo i vetëpunësuar në biznesin e vogël duhet të paguajë brenda datës 20 prill rreth 24000 lekë sigurime shoqërore për periudhën janar-mars. Një pjese të vogël prej tyre qeveria do ju japë 26000 lekë në muajin prill për pagën e luftës. Atyre do t’u mbeten vetëm 2 mijë lekë në xhep.

Fotografia ilustruese ne postimin e Agron Shehaj

Ata që nuk do marrin as “pagën e luftës”, duhet të paguajnë nga xhepi i tyre të gjithë shumën 24000 Lekë. Paketa e qeverisë për të ndihmuar njerëzit dhe bizneset e vogla është një mashtrim: ato pak lekë që qeveria t’i jep në mëngjes, t’i merr në darkë. Madje shumicës së bizneseve qeveria nuk do t’u japë asgjë dhe do ja u marrë detyrimet fiskale njësoj si në kohë normale. Kjo është lojë e rrezikshme me jetët e njerëzve dhe me ekonominë e vendit.”

Kështu do të ndodhë edhe me Marjenin, nëse qeveria do të përfshijë në listpagesat e pagave minimale, punonjësit tij, ndërsa ai do të paguajë detyrimet e shtetit.

Por qeveria thotë se “lufta nuk vjen për gëzim” dhe njëkohësisht edhe fqinjët tanë në rajon në paketat e shpëtimit pagat e luftës i kanë ofruar po aq sa pagat minimale.

Njëkohësisht qeveria ka deklaruar se me kushtet e buxhetit të shtetit e ka të pamundur të tolerojë shtyrjen e detyrimeve, sepse janë në masën totale të pensioneve.

Pra qeveria nuk e shpëton dot turizmin, edhe nëse në paketën e dytë do të përfshijë dhënien e pagave minimale për punonjësit që janë në listpagesat e sektorit.

Edhe pak më shumë se dy javë na ndajnë nga çelja zyrtare e sezonit turistik që këtë vit në këtë situatë të jashtëzakonshme, nuk dihet ende nëse do të çelet.

Por nëse kufijtë e brendshëm çelen dhe shqiptarët turren drejt bregdeteve, sipërmarrësit e turizmit duhet ta kenë të qartë që pa ndihmën e qeverisë dhe humbjet e deritanishme të përdorin logjikën ekonomike dhe të ulin çmimin e vezës, shezlongut, hotelit , si edhe Dhe të rrisin cilësinë e gamën e shërbimeve, që edhe në kohët e mira, shqiptarët ti bëjnë me qejf pushimet në vendin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë