Treg

Turizmi, hotelet të certifikohen urgjentisht për sigurinë!

Shoqatat e turizmit kërkojnë nga qeveria që të certifikohen në mënyrë urgjente zyrtarisht të gjithë hotelet e vendit sepse janë në prag panairet ndërkombëtare të turizmit e mandej shumë shpjet troket sezoni.

Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit

“Partnerët na kanë kërkuar certifikimin zyrtar të hoteleve. Ndryshe nuk kanë asnjë siguri. Ne duhet tu sigurojmë rehatinë psikologjike atyre që e konsiderojnë Shqipërinë për të bërë turizëm.”- thotë Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.

Të njëjtën gjë ka kërkuar edhe Kliton Gërxhani, kreu i ATOA (Shoqata e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike) përmes një letre dërguar Ministrisë së Turizmit dhe Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin.

“Certifikim sizmik ndërkombëtar i mbështetur nga shteti, për hotelet dhe apartamentet pritëse dhe promovimin e këtij proçesi në mediat vendase dhe të huaja. Të përfundojë sa më shpejtë proçesi i standartizimit të hoteleve dhe apartamenteve pritëse”- thotë Gërxhani.

Po ashtu sipas Topuzit, Ministri Blendi Klosi si nënkryetar i Organizatës Botërore të Turizmit, ka premtuar që brenda 15 janarit do të organizojë një konferencë ndërkombëatre me pjesëmarrjen e ministrave të turizmit të rajonit, për të bërë me dije se Shqipëria është e sigurt për turizëm.

Sipas Topuzit, deri tani vetëm grupet nga vendet e lindjes kanë anuluar prenotimet për të pushuar në Shqipëri. Por, thotë Topuzi, polakët dhe në përgjithësi vendet e Lindjes përbëjnë vetëm 15% të peshës së të gjithë sektorit. Edhe Europa Veriore thotë ai ka deri në 300 mijë turistë, nuk është peshë e konsiderueshme, por “pjesa për të cilën ne duhet të kujdesemi është rajoni; Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe shqiptarët e diasporës, që përveçse nuk duhet ti humbim se bartin 80% të peshës së sektorit, por ata duhet të shërbejnë edhe si promovues të turizmit tonë të sigurt”.

Përpos kësaj, shpjegon Topuzi për gazetën “Si”, qeveria duhet të subvecionojë sipërmarrjet e prekura.

“Teksa rajoni ka politikë normale subvencionimin e hoteleve në masën 45 euro për turistët që qëndrojnë dy ditë e lart në vend, qeveria jonë duhet të paktën të rimbursojë sipërmarrjet e prekura nga tërmeti për një periudhë derisa të rimëkëmben”- thotë Topuzi.


Po ashtu, sipas tij, duhet që qeveria të zhvendosë familjet nga rezortet me 4-5 yje, pra hotelet e vijës së parë, që ata të nisin riparimet e të bëhen gati për sezonin dhe ti shpien familjet në hotelet e vijës së dytë.

Kliton Gërxhani, ATOA

Kurse Kliton Gërxhani i ATOA-s kërkon gjithashtu “Pjesëmarrje më të zgjeruar në Panaire Ndërkombëtare dhe organizimin e promo tour-eve me gazetarë të medieve të huaja e lehtësi fiskale për vitin 2020 për hotelet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit”.

Durrësi është një qytet i mbështetur gjërësisht në sektorin turistik dhe kontribon në 10% PBB, duke u renditur në ekonominë e tretë më të madhe në vend.
Dëmi që pritet ti bëhet turizmit, për Gërxhanin është më i gjërë sesa vetëm zona e Golem-Durrësit.

Propozimet e bëra nga shoqatat e turizmit, sipas tyre do të kenë një ndikim të drejtëpërdrejtë në aktivitetin ekonomik në zonat e prekura dhe do të rikthente normalitetin në jetën e përditshme si dhe do të garantonte ecurinë pozitive të sektorit te turizmit përgjatë vitit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë