Lajme

Turizmi ende në shënjestër të tatimeve

Gjatë periudhës 4 Korrik-30 Shtator 2019, janë kryer nga tatimet 6,206 kontrolle në biznese dhe janë konstatuar 2,412 shkelje të legjislacionit tatimor. Fokusi ka qenë në sektorin e turizmit.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj, në një takim me mediet informoi rezultatet dhe vijimësinë e Planit Operacional kundër Informalitetit deri në fund të muajit Dhjetor 2019.

Strukturat e Monitorimit në Terren, tha ajo vazhdojnë verifikimet në të gjithë territorin e vendit, të mbështetur në listat e riskut dhe denoncimet që vijnë nga qytetarët përmes aplikacionit StopInformalitetit.

“Vetëm në dy javët e para të këtij muaji janë kryer 1,334 kontrolle, ndërsa janë konstatuar 239 shkelje të legjislacionit tatimor.”- u shpreh Ibrahimaj.

Ajo përsëriti se plani operacional nuk është i përkohshëm dhe i lidhur ngushtësisht me sezonin turistik, por do të vazhdohet me një qasje të mbështetur në analizën e riskut, i shtrirë në disa sektorë dhe i koordinuar në të gjitha drejtoritë rajonale “me qëllim respektimin e ligjit njësoj nga të gjithë".

Plani kundër Informalitetit, tha ajo, synon së pari ndërgjegjësimin e të gjithëve se respektimi i ligjit është detyrim i njejtë për të gjithë dhe në të mirën e përbashkët. Administrata Tatimore, në nivel DRT ka evidentuar tatimpaguesit që kontribojnë në 70% të realizimit të planit, me të cilët do të organizohen takime sensibilizuese për rritje të vetëdeklarimit dhe përmirësim të treguesve fiskalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë