Treg

Turizmi: Nëse do të kemi 40% kapacitet, do të jetë sukses

Sabina Veizaj - Sipërmarrësit e turizmit po shpresojnë fort që këtë sezon t’u shkëlqejë sadopak dielli, megjithëse janë të ndërgjegjshëm që do të jetë një sezon turistik i pazakontë dhe me një kapacitet shumë më të ulët se një vit më parë.

Muki Kurmemi nga "AS Hotel" në Durrës tregon për Gazetën “Si” se nëse ky sezon do të çelet dhe do të jetë një kapacitet prej 30-50% krahasuar me vitin e kaluar, do të jetë një sukses.

“Unë duhet ta kisha filluar sezonin tashmë që në mars, kur u shpall gjendja e izolimit. Kishin rezervuar 80 gjermanë, të cilët sigurisht që anuluan. Në gati 10 vite që menaxhoj unë këtë hotel, kam punuar çdo sezon me 100% të kapacitetit. Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë çmimet ishin 50-60 euro nata në varësi të paketës plus mëngjesin ose edhe drekën. Këtë vit mendoj që çmimet do të jenë -30%”, thotë z. Kurmemi.

Ai shpjegon se partnerët e tij nuk kanë frikë të vijnë në Shqipëri, përkundrazi, “Polonia thotë që Shqipëria është "Corona-Free", por çështja është tek hapja e kufijve dhe lirimi i fluturimeve”.

“Dy agjenci të mesme në Hungari dhe Sllovaki i kanë anuluar rezervimet në 100%. Kurse agjencitë më të mëdha i kanë lënë në pritje që do të thotë nga 100 mijë euro supozojmë që do të ishte buxheti, tani do të jetë aq sa të munden dhe të lejojë situate. Nuk di çfarë të them. Situata është e paqartë, e pasigurtë dhe konfuze”, shprehet menaxheri i "AS Hotel" në Durrës.

Të njëjtën gjë thotë edhe Enver Mehmeti i "Premium Hotel".

“Jemi pezull dhe konfuzë. Deri më tani kanë anuluar të gjithë. Dëshira është e madhe për pushime në plazh, por nëse nuk hapen aeroportet, e shoh të errët situatën”, shprehet z. Mehmeti.

Kurse Kliton Gerxhani nga ATOA (Shoqata Shqiptare e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike) tregon se partnerët e tij po i shtyjnë muaj pas muaji kërkesat në varësi të vendeve nga janë.

“Disa syresh i kanë anuluar krejt, të tjerët i kanë spostuar rezervimet për më vonë. Nuk mendoj se do të kemi lëvizje prej tyre, të paktën deri në korrik”, thotë z.Gerxhani.

Të gjithë atyre që janë të përfshirë në sektorin e turizmit prej pak kohësh u ka mbërritur dhe draft-Protokolli i masave anti Covid-19 për t'u zbatuar gjatë sezonit turistik nga subjektet e turizmit.

“Brenda për brenda, sapo na është nisur drafti i masave të sigurisë, që po u miratuan (dhe duhet të miratohen nga halli), do e bëjnë të panatyrshëm turizmin sivjet dhe do të reduktohen numrat gjithsesi. Nëse sivjet do arrijmë të marrim 30% e asaj që kishim parashikuar, duhet të jemi të lumtur”, thotë z.Gerxhani.

Kurse për z.Kurmemi masat që kanë lidhje me hapësirat mes çadrave, largësinë nga deti dhe mes tavolinave në restorante, nuk përbëjnë problem sepse sipas tij janë bërë përherë pa qenë mes nesh koronavirusi.

Shqetësimi i tij qëndorn tek kostot shtesë për trajnimin e kordinatores, staf shëndetësor dhe kosto të tjera shtesë që do të jetë e vështirë duke marrë parasysh pasigurinë e kapacitetit që do të ketë ky sezon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë